Shpërndaje në: Liderët e NATO-s nisën të prezantojnë të martën në Turqi një sërë marrëveshjesh për blerjen dhe prodhimin e armatimeve, me një vlerë që arrin në dhjetëra miliarda dollarë, raporton Reuters.
Këto marrëveshje synojnë të tregojnë se aleatët po i përgjigjen thirrjeve të Shteteve të Bashkuara për të rritur shpenzimet në mbrojtje, përpara samitit ku pritet të marrë pjesë presidenti amerikan, Donald Trump. Gjatë një forumi të industrisë së mbrojtjes në Ankara, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, bëri të ditur disa iniciativa të reja.
Ai bëri thirrje për një revolucion në industrinë e mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s teksa paralajmëroi se Rusia po rrit ndjeshëm shpenzimet ushtarake. Sipas tij, sfidat për bllokun evropian vijnë nga Kina, Koreja e Veriut dhe Irani. Ai u bëri thirrje kompanive perëndimore të industrisë së mbrojtjes të shtojnë investimet për të rritur kapacitetet prodhuese.
Po ashtu, ai kërkoi nga qeveritë të bëjnë porosi afatgjata dhe të krijojnë kushte që kompanitë të zhvillohen dhe të investojnë më shumë. Industria evropiane e mbrojtjes prej vitesh përballet me shumë pengesa, si procedurat e ndërlikuara dhe mungesa e bashkëpunimit mes vendeve dhe kompanive.
Për këtë arsye, shumë shtete evropiane vazhdojnë të blejnë një pjesë të madhe të armëve dhe pajisjeve ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.
