Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 është rritur numri i lëndimeve të lehta trupore dhe posedimi ilegal i armëve ndërsa ka rënë numri i vrasjeve dhe vjedhjeve, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.
Sipas statistikave të publikuara nga Policia Rajonale e Ferizajt, numri i rasteve të lëndimeve të lehta trupore është rritur nga 157 raste në janar-qershor 2025 në 180 raste në të njëjtën periudhë të vitit 2026, që paraqet një rritje prej 23 rasteve. Po ashtu, është shënuar rritje edhe te posedimi ilegal i armëve, ku rastet kanë kaluar nga 45 në 50, ose 5 raste më shumë se vitin e kaluar.
Në anën tjetër, statistikat tregojnë rënie në pothuajse të gjitha kategoritë e tjera të veprave penale. Numri i vrasjeve ka rënë nga dy në një rast, ndërsa grabitjet kanë shënuar po ashtu ulje nga dy në një rast.
Rënie është evidentuar edhe te lëndimet e rënda trupore, të cilat kanë zbritur nga 16 në nëntë raste; dhuna në familje nga 127 në 114 raste; si dhe kanosjet, të cilat kanë rënë nga 163 në 130 raste. Sipas të dhënave, është ulur edhe numri i vjedhjeve, nga 218 në 150 raste, ndërsa vjedhjet e rënda kanë rënë nga 127 në 120 raste.
Po ashtu, rastet e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm kanë zbritur nga 20 në 12. Policia Rajonale e Ferizajt tha se gjatë kësaj periudhe ka ndërmarrë masa për parandalimin dhe zbulimin e veprave penale.
Organet e rendit u kanë bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës duke raportuar çdo rast të dyshuar në stacionin më të afërt policor, përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”, apo në numrat kujdestarë 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.
