“The Odyssey” mahnit kritikët, filmi i ri i Nolan nis me vlerësime

0%

Recensionet e para për filmin “The Odyssey” të Christopher Nolan kanë qenë jashtëzakonisht pozitive, pasi produksioni epik u shfaq në premierën botërore të mbajtur në Londër. Kritikët e pranishëm e kanë cilësuar filmin si një nga veprat më të arrira të regjisorit britanik, duke vlerësuar si realizimin vizual, ashtu edhe interpretimet e kastit.

Pas premierës, shumë kritikë ndanë reagimet e tyre në rrjetet sociale. Steven Weintraub nga Collider e përshkroi filmin si “të pabesueshëm”, ndërsa Joshua Rothkopf i Los Angeles Times e cilësoi “kinema të pastër”, duke vlerësuar balancën mes spektaklit, humorit dhe emocioneve, shkruan DailyMail.

Phil de Semlyen nga Time Out e quajti filmin “një përzierje marramendëse artizanati dhe spektakli”, ndërsa Erik Davis i Rotten Tomatoes e cilësoi “një triumf absolut” dhe një nga arritjet më të mëdha të Nolan. Vlerësime të veçanta morën edhe aktorët.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Matt Damon, i cili interpreton Odiseun, është përmendur si një pretendent serioz për sezonin e ardhshëm të çmimeve, ndërsa Samantha Morton ka marrë vlerësime të jashtëzakonshme për rolin e Circes. Robert Pattinson është cilësuar nga disa kritikë si aktori që “vjedh shfaqjen” me interpretimin e tij.

Vetë Christopher Nolan, gjatë prezantimit të filmit në premierë, u shpreh se shfaqja në Leicester Square ishte një moment i veçantë për të, pasi ishte rritur duke parë filma pikërisht në atë kinema. Me humor, ai iu drejtua kritikëve duke thënë: “Ju jeni të parët në botë që e shihni këtë film, prandaj jini të sjellshëm”.

Megjithëse shumica e reagimeve kanë qenë entuziaste, pati edhe disa vlerësime më të rezervuara. Kritiku David Ehrlich nga IndieWire e cilësoi filmin “jashtëzakonisht ambicioz”, por vuri në dukje se ritmi në disa pjesë është më i ngadaltë, edhe pse sipas tij finalja e shpërblen plotësisht udhëtimin.

“The Odyssey”, me protagonistë Matt Damon, Anne Hathaway, Zendaya, Tom Holland, Robert Pattinson, Lupita Nyong’o dhe Charlize Theron, pritet të dalë në kinema më 17 korrik.

Burimi: Telegrafi