Policia e Kosovës ka njoftuar se në katër raste të ndara në rajonin e Pejës dhe të Istogut ka konfiskuar armë nga disa persona, pas kontrolleve në automjetet e tyre. Në raporton 24-orësh thuhet se këto kontrolle janë kryer në intervale të ndryshme kohore gjatë së dielës nga Departamenti i Policisë Kufitare.
Në rastin e parë në Istog, sipas raportit, gjatë patrullimit njësiti policor ka ndaluar një automjet me targa vendore në të cilën gjendeshin dy persona meshkuj kosovarë. “G jatë kontrollit tek njëri nga personat është gjetur dhe konfiskuar një armë- pistoletë dhe 32 copë fishekë. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
”, thuhet në raport. Poashtu në Istog, sipas policisë, gjatë kontrollit të automjetit, një personi i është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 10 copë fishekë.
Kurse, një tjetër rast është raportuar në bjeshkët e Istogut, ku gjatë patrullimit policia ka ndaluar një automjet me targa vendore në të cilin gjendeshin katër persona meshkuj kosovarë, me ç’rast tek njëri nga ta është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 14 fishekë.
Ndërkaq, sipas policisë, në Pejë gjatë patrullimit ka ndaluar automjetin me targa vendore të drejtuar nga i dyshuari mashkull kosovar, ku i është gjetur dhe konfiskuar një pushkë ajrore me dy kutia diabolla për të cilën nuk kishte leje valide. Në të gjitha rastet, me urdhër të prokurorit, rasti është dërguar në procedurë të rregullt.
