Dy palë zgjedhje që erdhën pa rend brenda gjashtë muajsh nuk kanë mjaftuar që skena politike në Kosovë të prodhojë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
Ndonëse partitë politike kanë hyrë sërish në një cikël konsultimesh, ato vazhdojnë të shpërndajnë një lloj mjegulle të përsëritur rreth asaj se a janë njëzëri për një figurë konsensuale dhe, mbi të gjitha, a janë për një kompromis që do t’i jepte fund krizës institucionale, e cila ka hyrë në vitin e dytë.
Takimet e para mes liderëve kanë shërbyer më shumë si sinjal i gatishmërisë për dialog sesa si hap drejt një marrëveshjeje konkrete. Në njërin takim, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Financave, u takua me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.
Më pas, ai zhvilloi një takim edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ishte i shoqëruar nga Vjosa Osmani, bartësja e listës së kësaj partie në zgjedhjet e 7 qershorit. Ndërkohë, kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, refuzoi të ulej fare në tavolinën e bisedimeve me Kurtin. Ky format konsultimesh nuk është i panjohur për skenën politike në Kosovë.
Pamja është pothuajse e njëjtë si muaj më parë: liderët politikë ulen rreth tavolinës së gjatë të Kuvendit, buzëqeshin para kamerave, zhvillojnë takime që zgjasin më shumë se një orë dhe në fund flasin për atmosferë të mirë dhe konstruktive. Por, sikurse herën e kaluar, marrëveshja mungon.
Kjo shton dilemat nëse këto konsultime do të sjellin një rezultat ndryshe apo do të përfundojnë me të njëjtin epilog si herët e kaluara. Analisti Imer Mushkolaj thotë se mësimi që do të duhej të nxirrej nga bllokadat e kaluara është se kompromisi është i domosdoshëm. Në të kundërtën, sipas tij, qytetarët do të përballen sërish me edhe një palë zgjedhje të panevojshme.
“Vendi nuk e ka luksin që, për shkak të kokëfortësisë së politikanëve, përkatësisht paaftësisë për të gjetur zgjidhje kompromisi, të ballafaqohet sërish me bllokadë politike”- tha ai për Kallxo.com.
Mushkolaj vlerëson se partitë politike duhet të merren vesh dhe të përcaktojnë kritere për një ose disa figura të denja për pozitën e presidentit, nga të cilat më pas do të zgjidhej njëri ose njëra. “Më e mira do të ishte që partitë opozitare të propozojnë një personalitet jashtëpartiak, i cili do të votohej nga vetë ato së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje”- shtoi ai.
Profesori universitar Seb Bytyçi thotë se edhe kësaj radhe, ndonëse ka lëvizje të vogla të elektoratit nga njëra parti te tjetra, ato nuk janë të mjaftueshme për ndonjë ndryshim drastik. “Prandaj pres që partitë ta kenë kuptuar se është koha për kompromis. Për këtë duhet gatishmëri nga të paktën një parti opozitare”- tha ai.
Bytyçi vlerëson se deri më tash ka indikacione se LDK-ja mund të bëjë marrëveshje për kuorum, por nuk dihet saktësisht se cilat janë kërkesat e saj, pjesërisht edhe për shkak të përçarjeve të brendshme. Figurë konsensuale, në orët e fundit të procesit herën e kaluar, u përpoq të portretizohet Feride Rushiti, nga ana e LVV-së, por kjo përpjekje dështoi.
E pyetur nëse mbetet sërish një kandidate potenciale për pozitën e presidentes, Rushiti nuk e mohoi e as nuk e pohoi një gjë të tillë. “Nuk jam në ato diskutime”, është përgjigjur shkurt ajo për Kallxo.com më . Në zgjedhjet e qershorit 2026, LVV fitoi 53 mandate.
Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, më , pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, deklaroi se preferojnë një president apartiak. “Zgjedhja e presidentit nuk është përgjegjësi vetëm e partisë fituese. Është menduar që të bëhet në bashkëpunim me partitë tjera.
Jemi për figurë konsensuale, që ka vlera të dëshmuara kombëtare, qytetare dhe profesionale”- deklaroi Kurti. Ndërkaq, Hamza tha se PDK-ja do të qëndrojë në opozitë. Ai shtoi se, përveç deputetëve të PDK-së, në Kuvend janë edhe 98 deputetë të tjerë dhe se, edhe pa votat e PDK-së, institucionet mund të kompletohen.
“Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike në dobi dhe interes të qytetarëve të Kosovës dhe për të gjitha ato çështje në të cilat është interesi i Kosovës, vota e PDK-së do të jetë votë pro, duke përfshirë marrëveshjet financiare ndërkombëtare që janë në interes të Kosovës”- deklaroi ai.
Pas takimit me Kurtin, ndonëse nuk foli ekskluzivisht për pozitën e presidentit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se pa një marrëveshje në të cilën kjo parti ndihet e përfaqësuar, ata nuk kanë asnjë votë. “Po punojmë për dakordimin e parimeve, por ishte hap i mbarë për të hapur kapitujt e tjerë. I kemi 30 ditë kohë për seancën konstituive e më pas edhe 60 ditë për presidentin.
E mira është që po flasim para këtyre afateve”- deklaroi Abdixhiku pas takimit më . Ndërsa nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, më , në emisionin “Pressing” në T7, tha se partitë duhet të arrijnë një marrëveshje në pako. “Kësaj here kemi shkuar në zgjedhje për shkak të dështimit të zgjedhjes së presidentit.
Kjo kërkon që partitë politike, duke e përfshirë rolin e partisë së parë, të hyjnë në funksion të një bashkëpunimi dhe të arrihet një marrëveshje pako”- ka thënë Haziri. Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha ishin kandidate për presidente, megjithatë, në natën e nuk u arrit të konsumohej asnjëri rund i votimit për president dhe vendi shkoi në zgjedhje.
Në atë seancë nuk morën pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. 28 prilli i vitit 2026 ishte afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri dhe, rrjedhimisht, vendi shkoi në zgjedhje. Aktualisht, Kosova ka ushtruese detyre të presidentes Albulena Haxhiun, në cilësinë e kryetares së Kuvendit të legjislaturës së dhjetë.
Tash, me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë kanë 30 ditë afat për ta konstituuar Kuvendin. Menjëherë pas konstituimit të tij fillon afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri. Në rast se presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon sërish në zgjedhje.
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka paralajmëruar se me partitë opozitare synon të gjejë një zgjidhje për zgjedhjen e një presidenti jopartiak. Ndërkaq, PDK-ja dhe LDK-ja ende nuk kanë dalë me një qëndrim të qartë nëse mbështesin një president partiak apo jopartiak.
