Një nënë, Laura Kryeziu, ka ngritur shqetësim publik pasi djali i saj, sipas saj, është sëmurë rëndë pas konsumimit të ushqimit në picerinë “Sach Pizza” të premten mbrëma. Kryeziu ka treguar se gjendja e djalit të saj është përkeqësuar gjatë orëve të para të së shtunës, duke bërë që të dyshohet për helmim nga ushqimi dhe duke kërkuar trajtim mjekësor.
“Djali im, pasi konsumoi ushqim në ‘Sach Pizza’ të premten mbrëma, në mëngjesin e hershëm të së shtunës gati vdiq. Gjendja ishte aq e rëndë sa dyshohej për helmim dhe ende nuk po vjen në vete”, ka shkruar ajo. Reagimi i saj vjen pasi janë publikuar raportime se edhe persona të tjerë dyshohet se kanë pasur probleme shëndetësore pas konsumimit të ushqimit në të njëjtën ditë.
Ajo ka kërkuar nga Inspektorati që të ndërmarrë masa dhe të hetojë rastin. Kryeziu, e cila është nënë vetushqyese, ka kritikuar edhe vështirësitë me të cilat përballet në jetën e përditshme, duke përmendur gjendjen ekonomike, vonesat në paga dhe shpenzimet për terapi mjekësore.
“Uroj që Inspektorati të marrë masa dhe të mos heshtë, siç ndodh shpesh në këtë shtet”, ka shkruar ajo, duke kërkuar më shumë përgjegjësi institucionale për sigurinë ushqimore dhe shërbimet shëndetësore. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
