Shpërndaje në: Ish-diplomati Daniel Serwer ka vlerësuar se fajtori kryesor për ngecjen në procesin e dialogut Kosovë-Serbi është mungesa e vullnetit politik të Beogradit. Ai ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe SHBA që të rrisin presionin ndaj Serbisë dhe të zhbllokojnë rrugën integruese të Kosovës.
Serwer ka theksuar se pas afër një dekade pa përparim domethënës, është e vështirë të pritet ndryshim nëse mungon vullneti politik, veçanërisht nga Serbia. “Do të ishte e vështirë të pritej përparim pas asaj që, në thelb, kanë qenë rreth dhjetë vjet pa ndonjë progres të vërtetë. Nuk jam adhurues i marrëveshjeve të arritura as në Bruksel dhe as në Ohër.
Nuk mendoj se ato ishin marrëveshje të mirëfillta. Serbia në të vërtetë nuk u zotua kurrë seriozisht për zbatimin e tyre. Jo vetëm që nuk i nënshkroi, por as nuk mori ndonjë angazhim të qartë. Prandaj do të ishte e paarsyeshme të pritej përparim. A shpresoj për përparim? Sigurisht. Por Aleksandar Vuçiq e ka bërë shumë të qartë se nuk është fort i interesuar për këtë.
Dhe, siç thuhet, duhen dy palë për të kërcyer tangon”, ka theksuar ai në një deklarim për RTK-në. Serwer ka shtuar se Kosova duhet të vazhdojë të jetë palë konstruktive dhe të koordinohet ngushtë me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara për ta mbajtur gjallë procesin e dialogut.
Sipas tij, Bashkimi Evropian tashmë ka filluar ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës, duke kuptuar se vendosja e masave ndëshkuese ndaj Prishtinës ishte një gabim, ndërsa Beogradi ka dëshmuar se nuk ka qenë konstruktiv në proces.
Edhe Arbëri 1 muaj më parë Serwer: Vuçiqi po pret mundësinë për ta marrë veriun e Kosovës “Mendoj se deri në një masë Bashkimi Evropian tashmë e ka ndryshuar qasjen e tij. Besoj se evropianët e kanë kuptuar se kanë bërë një gabim kur vendosën masa ndaj Kosovës disa vjet më parë. Tani ato masa janë lehtësuar.
Gjithashtu, mendoj se Bashkimi Evropian e ka kuptuar se Beogradi po tregohet vërtet shumë jokonstruktiv. Shpresoj gjithashtu që edhe SHBA-ja të mbajë një qasje më të ashpër ndaj Beogradit, sepse amerikanët e kanë trajtuar Beogradin me shumë butësi. Është e vërtetë se ata janë përpjekur ta largojnë ndikimin rus nga Serbia.
Por në të vërtetë, ne nuk kemi qenë mjaftueshëm të ashpër ndaj Beogradit, qoftë për çështjet e korrupsionit, qoftë për dialogun që kemi zhvilluar. Mendoj se në të ardhmen duhet të kemi një qasje shumë më të vendosur ndaj Beogradit”, pohoi ai.
Duke iu referuar marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, Serwer vë në pah se Kosova ka forcuar pozitën ndërkombëtare përmes angazhimit në nismat për paqe, përfshirë pjesëmarrjen në Bordin e Paqes dhe dërgimin e trupave në Gazë.
