Kapiteni i Zvicrws, Granit Xhaka, përjetoi një nga momentet më emocionuese të karrierës së tij pas kualifikimit historik të Zvicrës në çerekfinale të Kampionatit Botëror. Megjithatë, mesfushori 33-vjeçar e bëri të qartë se objektivi i skuadrës nuk përfundon këtu.
Në momentin kur penalltia vendimtare e realizuar nga Rubin Vargas vulosi triumfin ndaj Kolumbisë, bashkëlojtarët vrapuan drejt heroit të mbrëmjes për të festuar. Xhaka, ndërkaq, u ul i vetëm në mesin e fushës së stadiumit “BC Place” në Vankuver, duke përjetuar në heshtje emocionet e një suksesi historik. Vetëm pas disa çasteve ai u ngrit dhe iu bashkua festës së ekipit.
“Për mua ishte lehtësim i pastër. Marr shumë presion mbi vete, si për veten, ashtu edhe për skuadrën. Edhe pse ende nuk e kupton plotësisht atë që ke arritur, desha ta shijoja atë moment vetëm”, tha Xhaka pas ndeshjes, transmeton media zvicerane “Blick”. Sa e madhe ishte barra që kishte mbi supe u pa që në fillim të serisë së penalltive.
Si gjuajtësi i parë i Zvicrës, kapiteni mori përgjegjësinë dhe realizoi, ndonëse me pak fat. Pas golit ai shpërtheu në një britmë të gjatë gëzimi, një reagim i rrallë për futbollistin nga Baseli, i cili zakonisht feston me shumë më pak emocione. Gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes së zjarrtë në Vankuver, Xhaka nuk ishte në qendër të vëmendjes.
Por në minutën e 114-të iu paraqit mundësia ideale për ta vendosur fituesin. Goditja e tij nga skaji i 16-shit përfundoi mbi portë, ndërsa vetëm pak sekonda më vonë Zvicra pati fat, pasi kolumbiani Campaz nuk arriti të përfitonte nga një gabim i kapitenit zviceran. “Ishte padyshim një ditë e veçantë. Më bën të lumtur që më në fund arritëm ta bënim këtë hap të madh.
Për Zvicrën, për lojtarët, për stafin dhe për familjet tona”, u shpreh Xhaka. Ai kujtoi se që nga Kampionati Botëror i vitit 2014, Zvicra kishte zhvilluar vazhdimisht paraqitje të mira në fazën me eliminim direkt, por gjithmonë i kishte munguar fati në momentet vendimtare. “Ne gjithmonë kemi besuar. Ky ekip po jeton një epokë që ndoshta nuk do të përsëritet më.
Fakti që më në fund arritëm të shkruajmë historinë tonë më bën jashtëzakonisht krenar”, theksoi ai. Megjithatë, për Xhakën kualifikimi në çerekfinale është vetëm një etapë e rrugëtimit. “Tani duhet të vazhdojmë. Kur je kaq afër, uria bëhet edhe më e madhe. Tani duam të shkojmë deri në fund.
Kështu mendoj unë dhe jam i bindur se kështu mendon edhe skuadra, por edhe stafi”, deklaroi kapiteni zviceran. Në çerekfinale, Zvicra do të përballet me Argjentinën me 12 korrik (03.00).
