Shpërndaje në: Historiani serb Milivoj Beshlin ka thënë se gjatë negociatave për amendamentet kushtetuese të viteve 1970-1971, Fadil Hoxha dhe Komisioni Kushtetues i Kosovës synonin forcimin e shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës, duke e bërë atë sa më pak të varur nga Serbia dhe më të lidhur me federatën jugosllave.
Në një bashkëbisedim në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Beshlin ka thënë se Komisioni Kushtetues i Kosovës, i udhëhequr nga Fadil Hoxha, dhe ai i Serbisë, i drejtuar nga Drazha Markoviqi, kishin qëndrime diametralisht të kundërta për zgjerimin e autonomisë së Kosovës.
Sipas tij, Drazha Markoviqi kundërshtonte pothuajse çdo propozim që vinte nga Prishtina, pasi i konsideronte ato si hapa drejt shtetësisë së Kosovës. “Çdo gjë që propozonte Fadil Hoxha, përkatësisht Komisioni Kushtetues i Kosovës, i ngjante shtetësisë.
Natyrisht, përfaqësuesit e Kosovës kishin idenë për të forcuar një lloj shtetësie dhe sovraniteti të krahinës, që sa më pak të varej nga republika dhe sa më shumë të lidhej me federatën”, ka thënë Beshlin. E publicisti Surroi ndërhyri duke thënë se propozimin e Hoxhës ishin të drejta.
Ai vlerësoi se qëllimi kryesor i amendamenteve kushtetuese të viteve 1968 dhe 1971, si dhe i Kushtetutës së vitit 1974, ishte që çështja e Kosovës të mos mbetej vetëm përgjegjësi e Serbisë, por të trajtohej edhe në nivelin federativ.
Beshlin shtoi se debatet kushtetuese të asaj kohe ishin jashtëzakonisht të detajuara dhe trajtonin çështje që lidhen me simbolet e Kosovës, emërtimin e aktit më të lartë juridik, si dhe pozitën kushtetuese të krahinës në federatën jugosllave.
Sipas tij, kur Komisioni Kushtetues i Kosovës dhe ai i Serbisë nuk arrinin marrëveshje, çështjet dërgoheshin në arbitrazh te Komisioni Kushtetues Federativ, i udhëhequr nga Millentije Popoviq, i cili, sipas Beshlinit, në shumicën e rasteve vendoste në favor të krahinave.
