Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Fushë Kosovës përgjatë vitit 2025 ka paguar 1 milion e 921 mijë e 761 euro për paga jubilare dhe shujta, nga kategoria e investimeve kapitale.
Sipas Raportit të Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Fushë Kosovës për vitin 2025, ZKA-ja ka gjetur në total 2 milionë e 72 mijë euro keqklasifikim të shpenzimeve, ku mbi 1.9 milionë euro janë dhënë për paga të cilat ndërlidheshin me obligime nga kontrata kolektive, ndërsa 150 mijë e 375 euro janë evidentuar si pagesa që nuk lidhen me vendime gjyqësore, e që sipas ZKA-së, janë klasifikuar në kategori ekonomike joadekuate.
“Kjo kishte ndodhur si rezultat i mungesës së ndarjes së fondeve rezervë për mbulimin e detyrimeve nga vendimet gjyqësore/përmbarimore si dhe dobësive në kontrollet e brendshme gjatë planifikimit buxhetor” – thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
ZKA ka thënë se planifikimi dhe realizimi i shpenzimeve nga kategoritë joadekuate, ndikon në mbivlerësimin ose nënvlerësimin e kategorive përkatëse të shpenzimeve, duke rezultuar në prezantim jo të saktë të shpenzimeve në raportin vjetor financiar.
“Kryetari duhet të sigurojë ndarjen e fondeve rezervë për mbulimin e detyrimeve që rrjedhin nga vendimet gjyqësore/përmbarimore, në përputhje me kërkesat ligjore dhe kufijtë buxhetorë të përcaktuar, si dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme që pagesa dhe regjistrimi i transaksioneve të bëhet sipas kategorive ekonomike adekuate” – thuhet në rekomandimin që ZKA i ka dhënë Komunës së Fushë Kosovës.
Komuna e Fushë Kosovës është pajtuar me këtë gjetje të ZKA-së, ndërsa këta të fundit kanë dhënë opinion të kualifikuar në lidhje me pasqyrat financiare të kësaj komune për vitin 2025. Auditori jep opinion të kualifikuar kur pasqyrat financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.
Në vitin paraprak, ZKA-ja i kishte dhënë 15 rekomandime kryesore Komunës së Fushë Kosovës. Prej tyre, deri në fund të vitit 2025 tetë janë zbatuar; pesë nuk janë zbatuar ende; një rekomandim është në proces; si dhe një rekomandim nuk është i aplikueshëm më.
ZKA ka vërejtur se Komuna e Fushë Kosovës nuk kishte përgatitur një plan të veprimit, ku do duhej të paraqitej mënyra se si do të zbatojë rekomandimet e dhëna nga Auditori. Raportin e plotë për Komunën e Fushë Kosovës mund ta gjeni KËTU .
