Hetimet për përplasjen me armë zjarri që kishte alarmuar Mitrovicën më 9 gusht kanë sjellë një tjetër zhvillim. Njëri nga personat e identifikuar gjatë hetimeve është dorëzuar në Polici, ndërsa pas deklarimit të tij hetuesit kanë arritur të gjejnë dhe sekuestrojnë edhe një armë që dyshohet se lidhet me rastin, raporton ekskluzivisht Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Armend Hysenin , rreth 27-vjeçar, i cili të premten, më 28 gusht, rreth orës , është paraqitur në Hetimet Rajonale së bashku me avokatin e tij mbrojtës. Hyseni është intervistuar lidhur me rastin, ndërsa gjatë procedurave ka njoftuar hetuesit për vendndodhjen e armës me të cilën pretendon se e ka kryer veprën.
Ky informacion ka çuar Policinë drejt një kontrolli të ri. Me urdhër verbal të Prokurorit të Shtetit është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit dhe objektet përreth saj. Gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e kalibrit 7.65 mm, bashkë me tre fishekë. Pas përfundimit të procedurave, me vendim të Prokurorit të rastit, Armend Hyseni është ndaluar për 48 orë.
Ekskluzive | Zgjerohet hetimi për shkëmbimin e zjarrit në Mitrovicë – identifikohen edhe dy të dyshuar, njëri arrestohet e tjetri në arrati Çfarë kishte ndodhur në sheshin “Isa Boletini”? Rasti për të cilin po zhvillohen hetimet kishte ndodhur më 9 gusht, rreth orës , në sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Policia ishte alarmuar për të shtëna me armë zjarri dhe, kur kishte mbërritur në vendngjarje, kishte hasur në një skenë që ngriti dyshime për shkëmbim zjarri mes dy palëve. Në derën e banesës ku ndodheshin disa nga të dyshuarit ishin konstatuar vrima, ndërsa dyshohej se nga brenda banesës ishte qëlluar drejt disa personave që ndodheshin në korridor.
Në korridor ishin gjetur gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, duke ngritur dyshimin për përdorimin e të paktën dy armëve. Të dëmtuara kishin mbetur dy dyer të banesave përballë njëra-tjetrës.
Ekskluzive | Këta janë të dyshuarit për tentim-vrasjen në sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë – të shtëna nga dy anët, të dy në arrati Personat që ndodheshin në banesë ishin larguar, ndërsa rasti ishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”. Hetimet më pas kishin çuar në identifikimin e disa personave të dyshuar.
Më 20 gusht, Endri Cakiqi dhe Albi Cakiqi ishin vetëdorëzuar në Polici në praninë e avokatëve të tyre. Njëri prej tyre kishte dorëzuar edhe një pistoletë Zastava, për të cilën kishte pretenduar se ishte arma e përdorur në ngjarje. Hetimet kishin çuar më pas edhe te persona të tjerë të dyshuar, ndërsa tre prej tyre kishin përfunduar para gjyqtarit të procedurës paraprake.
Dyve u ishte caktuar paraburgimi prej 30 ditësh, ndërsa njërit masa e arrestit shtëpiak. Dorëzimi i Armend Hysenit dhe sekuestrimi i armës së dytë përbëjnë zhvillimin më të fundit në këtë rast. Hetimet për të përcaktuar dinamikën e plotë të përplasjes, rolin individual të personave të përfshirë dhe armët e përdorura po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
