Detaje të reja nga vrasja që tronditi Prizrenin | Videoincizimet

0%

Hetimet për vrasjen tragjike të një 15-vjeçari në Prizren janë zgjeruar. Pas arrestimit të 17-vjeçarit që dyshohet për vrasjen, Policia ka identifikuar dhe ndaluar edhe një të mitur tjetër, raporton Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se zhvillimi i ri ka ardhur pas një pune intensive të hetuesve rajonalë dhe sigurimit të disa videoincizimeve që lidhen me rastin.

Nga analizimi i tyre, hetuesit kanë arritur të identifikojnë S.D., 15-vjeçar, i cili tashmë po trajtohet si i dyshuar për veprën penale “Sulmi”. I mituri është intervistuar në praninë e prindit dhe avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare. Atij i është ofruar edhe trajtim mjekësor në spital.

Pas procedurave policore, Prokurori i rastit ka urdhëruar që 15-vjeçari të ndalohet për 24 orë. Ky është personi i dytë që përfundon në ndalim në kuadër të hetimeve për ngjarjen tragjike të 27 gushtit në rrugën “Shotë Galica” në Prizren. Çfarë ndodhi natën e vrasjes? Rasti ishte raportuar rreth orës si një therje me thikë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kur Policia mbërriti në vendngjarje, ekipi i Urgjencës po i jepte ndihmën e parë Omer Purovës, i cili më pas u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Prizrenit. Gjendja e tij ishte e rëndë dhe, pavarësisht përpjekjeve të personelit mjekësor, 15-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.

Pak më larg nga vendi ku kishte ndodhur incidenti, Policia kishte hasur E.H., 17-vjeçar, i cili u arrestua si i dyshuar për rastin. Gjatë kontrollit, policët i gjetën një thikë në xhep, e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës. Ajo u sekuestrua si provë materiale. 17-vjeçari më pas u shoqërua në zyrat e Hetimeve Rajonale në Prizren së bashku me babain e tij.

Atij iu siguruan avokat sipas detyrës zyrtare dhe punëtor social. Në konsultim me mbrojtësin, i mituri u mbrojt në heshtje, ndërsa me urdhër të Prokurorit u ndalua për 24 orë. Trupi i pajetë i 15-vjeçarit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes po vazhdojnë.

Tashmë, me identifikimin e të miturit të dytë, rasti po hetohet për “Vrasje”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Sulm”. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com