Shefi i Shtabit të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneral brigade Chad Daniels, ka vizituar pjesëtarët e KFOR-it që veprojnë në Mitrovicë, ku nga afër ka parë angazhimin e vazhdueshëm të Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) dhe Ekipeve për Ndërlidhje dhe Monitorim (LMT) në mbështetje të misionit të KFOR-it në Mitrovicë dhe në veri të Kosovës.
Daniels ka thënë se pjesëtarët e MSU-së ndihmojnë në sigurimin e një pranie të dukshme dhe të lëvizshme të KFOR-it në terren, si dhe në ruajtjen e gatishmërisë së tij, ndërsa Ekipet për Ndërlidhje dhe Monitorim mbajnë kontakte të rregullta me të gjitha komunitetet lokale, duke ndihmuar KFOR-in të ketë një pasqyrë më të qartë të situatës dhe të mjedisit të sigurisë.
“Ajo që kam parë nga pjesëtarët tanë tregon se si KFOR-i po përshtat qëndrimin e tij, duke ruajtur njëkohësisht kapacitetet më të rëndësishme: praninë e dukshme, ndërgjegjësimin e fortë për situatën, angazhimin me të gjitha komunitetet lokale dhe forcat e gatshme për të reaguar kur është e nevojshme, në përputhje me mandatin tonë të kahershëm të OKB-së”, ka deklaruar ai.
KFOR-i vijon të optimizojë pozicionimin dhe praninë e tij, ndërsa procesi mbetet gradual, i bazuar në kushtet në terren dhe i mbështetur në vlerësime të vazhdueshme të situatës.
Misioni i KFOR-it vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes.
KFOR-i vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në kuadër të rolit të vet si përgjegjës për reagimin në çështjet e sigurisë.
