Me ftesë të ministrit në detyrë të Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, u zhvillua sot një takim ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve publike qendrore dhe lokale, institucioneve shkollore, universiteteve, mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe studentëve. Ky ishte takimi i parë në këtë format.
Pjesëmarrës ishin: Muhamet Gjoka, Kryesues i Kolegjiumit të Drejtorëve komunalë të arsimit, Rrahman Jasharaj, Kryetar i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, Sekretar i Përgjithshëm i SBASHK-ut, Mentor Alishani, Kryesues i Konferencës së Rektorëve, Linda Dula Halilabazi, Nënkryetare e Këshillit të Prindërve të Kosovës, Merita Dili Hasani, Sekretare e Kolegjiumit të drejtorëve të institucioneve parashkollore, Donart Humolli, Nënkryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, dhe Kaon Krasniqi, Kryetar i Asamblesë së Fëmijëve të Kryeqytetit.
“Për temë qëndrore, takimi kishte përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor dhe procesin e hartimit të strategjisë së re 10-vjeçare shtetërore të arsimit. Diskutimet ishin përmbajtjesore dhe u zhvilluan në frymë pozitive dhe konstruktive. Palët mirëpritën ftesën, formatin e takimit dhe vlerësuan lartë qasjen bashkëpunuese, dhe u dakorduan për takime të rregullta të këtij formati.
Duke theksuar rëndësinë zhvillimore të arsimit në vend dhe gatishmërinë për punuar bashkërisht dhe me përkushtim për hartimin e strategjisë së re të arsimit dhe zbatimit të reformave që garantojnë cilësi në arsim, në këtë takim, u nënshkrua deklarata e zotimit për arsimin 2035+”, njofton Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Tekstin e plotë të saj mund ta gjeni më poshtë: ZOTIMI PËR ARSIMIN 2035+ Ne, përfaqësuesit e institucioneve publike qendrore dhe lokale, institucioneve shkollore, universiteteve, mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe studentëve, të bashkuar rreth vizionit për arsimin e Kosovës, deklarojmë se: 1.
Arsimi është projekti më i rëndësishëm zhvillimor i Kosovës dhe kërkon bashkëpunim përtej dallimeve institucionale, politike dhe shoqërore. 2. Strategjia Shtetërore e Arsimit 2035+ do të hartohet si një proces i përbashkët, ku secili prej nesh do të ofrojë kontributin e vet me përkushtim të plotë. 3.
Zbatimi i Strategjisë Shtetërore të Arsimit 2035+ mbetet një proces i vazhdueshëm, i cili shkon përtej çdo mandati qeverisës dhe mbështetet në bashkëpunimin e të gjitha institucioneve dhe akterëve të arsimit. 4. Zotohemi të mbështesim dhe të zbatojmë reforma që garantojnë arsim cilësor, mundësi të barabarta për çdo fëmijë dhe e lidhin arsimin me zhvillimin e Kosovës. 5.
Angazhohemi për të ndërtuar një konsensus të gjerë shoqëror duke e zgjeruar këtë partneritet me sektorët e tjerë publikë, forcat politike, sektorin privat, shoqërinë civile, komunitetin akademik, dhe partnerët zhvillimorë.
Nënshkruesit: Hajrulla Çeku, Ministër i Arsimit dhe Shkencës Muhamet Gjoka, Kryesues i Kolegjiumit të Drejtorëve komunalë të arsimit Rrahman Jashari, Kryetar i SBASHK-ut Mentor Alishani, Kryesues i Konferencës së Rektorëve Linda Dula Halilabazi, Nënkryetare e Këshillit të Prindërve të Kosovës, Merita Dili Hasani, Sekretare e Kolegjiumit të drejtorëve të institucioneve parashkollore, Donart Humolli, Nënkryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës Kaon Krasniqi, Kryetar i Asamblesë së Fëmijëve të Kryeqytetit.
