Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Ferizajt” për periudhën 2023-2025. Rezultatet e auditimit tregojnë se Komuna e Ferizajt nuk ka siguruar një proces efikas dhe efektiv për dhënien e lejeve ndërtimore.
“Mungesa e Hartës Zonale, zbatimi jo konsistent i planeve rregulluese, mungesa e procedurave të standardizuara dhe kontrollet e pamjaftueshme kanë ndikuar në trajtim jo të njëtrajtshëm të aplikacioneve për leje ndërtimore.
Në rreth 80% të rasteve të audituara, plikacionet/propozimet për kushte ndërtimore kanë qenë jo të plota, si dhe janë evidentuar mospërputhje në parametrat urbanistikë dhe dokumentacionin teknik. Inspektimet nuk kanë qenë efikase dhe efektive për të siguruar ndërtimin në përputhje me lejet e lëshuara.
Asnjë nga objektet e audituara nuk ishte inspektuar në të gjitha fazat e ndërtimit, ndërsa rreth gjysma e tyre ishin inspektuar vetëm një herë.
Dy raste të ndërtimeve ishin në kundërshtim me lejet, si dhe së paku 20 objekte të ndërtuara në pesë viteve të fundit ishin të banuara pa certifikatë të përdorimit, ndërsa edhe në rastet kur certifikatat e përdorimit ishin lëshuar, janë evidentuar mangësi në procedura dhe dokumentacion përkatës”, thuhet në njoftimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
“Po ashtu Komuna nuk ka pasur transparencë në procesin e dhënies së lejeve dhe certifikatave të përdorimit. Në uebfaqe mungojnë informatat e rëndësishme për lejet, certifikatat e përdorimit dhe trajtimin e ankesave, ndërsa nuk janë ofruar dëshmi të mjaftueshme për përfshirjen e qytetarëve në konsultimet lidhur me dokumentet e planifikimit hapësinor.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë tetë rekomandime për Komunën e Ferizajt dhe një rekomandim për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor” , thuhet në këtë njoftim.
