Pas dy javësh të ngjeshura me ligjërata, referime e sesione shkencore, kurse të gjuhës shqipe dhe veprimtari kulturore, në Prishtinë u përmbyll të premten, më , Seminari i 44-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
I mbajtur nga 17 deri më , Seminari edhe këtë vit mblodhi në Prishtinë studiues, albanologë, profesorë, studentë dhe dashamirës të shqipes nga vende të ndryshme të botës. Pjesëmarrësve, Seminari u ofroi mundësinë të njiheshin nga afër me Prishtinën, Kosovën, historinë dhe trashëgiminë e saj kulturore.
Në këtë mënyrë, ai dëshmoi edhe një herë rolin e tij si një urë lidhëse ndërmjet studiuesve dhe studentëve të shqipes nga vende të ndryshme të botës dhe hapësirës shqiptare.
Për organizatorët e Seminarit, përmbyllja e edicionit të 44-të nuk shënon vetëm fundin e një programi dyjavor, por edhe vazhdimin e një tradite mbi pesëdekadëshe të studimit, promovimit dhe kultivimit të gjuhës e kulturës shqiptare.
Seminari mbetet një hapësirë ku dija shkencore takohet me kulturën, ndërsa shqipja vazhdon të jetë pikë bashkimi për studiuesit, studentët dhe të gjithë ata që e shohin gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare si pjesë të rëndësishme të identitetit dhe të komunikimit ndërkombëtar.
Drejtoresha e Seminarit, Lindita Sejdiu tha në ceremoninë e mbylljes së edicionit të sivjetëm se gjatë dy javëve të këtij aktiviteti janë realizuar 19 ligjërata, 2 sesione paralele shkencore dhe duke realizuar një program të pasur kulturor.
“Ajo që më gëzon më së shumti është se kemi arritur që brenda këtyre dy viteve t‘ i klasifikojmë kurset e gjuhës shqipe bashkë me materialin mësimdhënës në pesë nivele të ndryshme”- tha ajo, duke falënderuar gjithë ata që ndihmuan në mbarëvajtjen e Seminarit të 44-të të shqipes, që nga institucionet deri te vullnetarët e Seminarit.
Gjatë këtij edicioni janë realizuar rreth 140 aktivitete me pjesëmarrjen e një numëri të konsiderueshëm studiuesish, studentëve nga Italia, Bullgaria, Polonia, Austria, Turqia e vende të tjera.
Mbi 50-vjet histori Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974, në Fakultetin e Filologjisë, atëkohë Fakulteti Filozofik, të Universitetit të Prishtinës.
Që nga themelimi, ai është konceptuar si një hapësirë për studentë dhe studiues që merren me problemet e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë në përgjithësi. Veprimtaria e Seminarit u ndërpre në vitin 1991 nga organet serbe.
Në vitet 1995 dhe 1996, sesionet e Seminarit u mbajtën në Tiranë, në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 2000, Seminari u rikthye në Prishtinë. Sesionet e 19-ta dhe 20-ta, të mbajtura në vitet 2000 dhe 2001, u organizuan në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Nga ajo periudhë seminari Organizohet nga Fakulteti Filologjik në bashkë-organizim me Fakultetin Histori- Filologji të Universitetit të Tiranës. Aktiviteti i Seminarit u ndërpre edhe në vitin 2020, për shkak të pandemisë COVID-19.
