Shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se do t’ua kthejë diferencën të gjithë blerësve që kanë paguar më shumë për tekstet shkollore, pas vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për uljen e çmimeve.
“Dukagjini” ka bërë të ditur se më 27 gusht ka pranuar vendimin e MASh për miratimin e Katalogut të Teksteve Shkollore për vitin shkollor 2026/2027, me të cilin, sipas shtëpisë botuese, është përcaktuar ulje prej 10 për qind e çmimeve për tekstet e përfshira në katalog.
Sipas njoftimit, shitja e teksteve kishte nisur para pranimit të këtij vendimi, me qëllim që nxënësit të pajiseshin me materiale mësimore para fillimit të vitit të ri shkollor. Shtëpia botuese ka theksuar se vendimi për çmimet e reja është pranuar vetëm pesë ditë para fillimit të vitit shkollor dhe se një pjesë e teksteve tashmë ishte blerë me çmimet e mëparshme.
Nga 60 deri në 100 euro, ekzekutohen mjetet financiare për tekstet shkollore Megjithatë, “Dukagjini” ka njoftuar se do t’ua kthejë diferencën të gjithë blerësve që kanë paguar çmim më të lartë se ai i përcaktuar në vendimin e Ministrisë.
“Të gjithë blerësve që kanë blerë tekstet tona me çmim më të lartë se çmimi i përcaktuar me vendim të Ministrisë do t’u kthehet diferenca e paguar”, thuhet në njoftim. Për të përfituar nga kthimi i diferencës, blerësit duhet të paraqiten në pikën ku i kanë blerë tekstet, duke pasur me vete kuponin, faturën ose dëshminë përkatëse të blerjes.
Nga hyrja në fuqi e vendimit, të gjitha tekstet shkollore të “Dukagjinit” do të shiten sipas çmimeve të përcaktuara në katalogun e miratuar nga MASh. Shtëpia botuese ka thënë se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që kthimi i diferencës të bëhet në mënyrë të rregullt dhe transparente për secilin blerës që ka paguar më shumë./ Telegrafi
