Boksierja kosovare, Donjeta Sadiku, ka fituar medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. Sadiku triumfoi në finalen e kategorisë deri në 60 kilogramë, ku u përball me boksieren nga Serbia, Kristina Kuluhova. Kuluhova është nga Rusia, por e përfaqësoi Serbinë, shtet ky që vazhdon të kundërshtojë paraqitjen e sportistëve kosovarë në ngjarjet ndërkombëtare.
Meçi u ndërpre në raundin e dytë, pasi Kuluhova u tërhoq për shkak të një lëndimi në arkadë. Arbitrat i numëruan pikët deri në momentin e ndërprerjes, ndërsa Sadiku u shpall fituese me rezultatin 4:0. Katër nga pesë gjyqtarët e vlerësuan boksieren kosovare si fituese në të dy rundet. Një gjyqtar tjetër e kishte vlerësuar meçin të barabartë deri në momentin e ndërprerjes.
Me këtë triumf, Donjeta Sadiku i ka siguruar Kosovës medaljen e parë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. Boksierja e Serbisë, Kristina Kuluhova, nuk doli për të pranuar medaljen e argjendtë gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve në Lojërat Mesdhetare. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas triumfit të boksieres Donjeta Sadiku në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Kurti ka thënë se Sadiku ka siguruar medaljen e parë të artë për Kosovën në këto lojëra. “Sapo morëm një lajm të jashtëzakonshëm nga Lojërat Mesdhetare ‘Taranto 2026’” – ka shkruar Kurti më . Ai ka theksuar se Sadiku triumfoi në finale ndaj Kristina Kuluhovas, e cila garoi për Serbinë.
“Boksierja jonë, Donjeta Sadiku, ka siguruar medaljen e parë të artë për Kosovën në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Taranto të Italisë. Ajo ka triumfuar në finale ndaj ruses Kristina Kuluhovan, e cila garoi për Serbinë”- ka shkruar Kurti.
Kryeministri në detyrë e ka cilësuar këtë si një sukses të madh për boksieren kosovare, ekipin që po përfaqëson Kosovën në Taranto, si dhe për sportin kosovar. “Ky është një sukses i madh për Donjetën, për ekipin tonë që ndodhet në Taranto, për boksin dhe për gjithë sportin e Kosovës”- ka shkruar ai. Në fund, Kurti ka uruar për fitoren Sadikun dhe trajneren e saj, Mariola Sallauka.
“Donjetes dhe trajneres Mariola Sallauka urime për këtë fitore të madhe” – ka përfunduar Kurti.
