Netflix ka publikuar detajet e para për sezonin e gjashtë dhe të fundit të serialit të njohur “Emily in Paris”, i cili këtë herë do ta largojë personazhin kryesor nga kryeqyteti francez. Pjesa më e madhe e kapitullit përfundimtar do të zhvillohet në Greqi, ku Emily Cooper do të përballet me vendime të rëndësishme për jetën personale dhe të ardhmen profesionale.
Lily Collins do të rikthehet në rolin e Emily-t, ndërsa fotografitë e para paralajmërojnë romanca dhe ndërlikime të reja në biznes. Në histori pritet të ketë sërish rol të rëndësishëm edhe Gabriel, i interpretuar nga Lucas Bravo. Ngjarjet do të vazhdojnë pas përfundimit të sezonit të pestë, kur Emily u kthye në Paris pas hapjes së një zyre në Romë për kompaninë e saj të marketingut.
Romanca e saj në Itali përfundoi, ndërsa marrëdhënia e ndërlikuar me Gabriel mbeti e pazgjidhur. Greqia do të shërbejë si sfond i ri për fundin e serialit. Krijuesi Darren Star ka paralajmëruar një përmbyllje ambicioze, të cilën e ka përshkruar si përvojën më të madhe të Emily-t deri më tani.
Sipas Netflixit, në sezonin e fundit ambiciet, lidhjet e dashurisë dhe jeta që Emily ka ndërtuar në Paris do të përballen në një udhëkryq. Ajo do të duhet të vendosë se ku i përket dhe çfarë të ardhmeje dëshiron. Xhirimet e episodeve të mbetura po vazhdojnë në Francë, ndërsa sezoni i plotë do të publikohet në Netflix më 24 dhjetor. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
