Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka deklaruar se aktualisht nuk po zhvillohen negociata ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit. Në një intervistë për Fox News, Leavitt tha se bisedimet nuk do të rifillojnë derisa presidenti amerikan të vlerësojë se pala iraniane është e gatshme të ulet në tryezë për negociata kuptimplota.
“Nuk po zhvillohen negociata tani dhe kjo do të vazhdojë derisa presidenti të ndiejë se ndoshta ata do të ulen në tryezë në mënyrë kuptimplotë. Ne ende nuk e kemi parë këtë”, deklaroi ajo. Sipas Leavitt, Uashingtoni aktualisht është i përqendruar në shtimin e presionit ekonomik ndaj Teheranit përmes një nisme që Shtëpia e Bardhë e ka quajtur “Operation Economic Outcast”.
Ajo theksoi se presidenti vazhdon t’i mbajë të gjitha mundësitë në dispozicion, pa dhënë hollësi të tjera për veprimet që mund të ndërmerren. “Kemi pasur Operacionin ‘Epic Fury’ për ta shkatërruar ushtrinë e tyre. Tani kemi Operacionin ‘Economic Outcast’ për ta shkatërruar ekonominë e tyre”, shtoi Leavitt.
Javën e kaluar, presidenti Donald Trump deklaroi se administrata e tij kishte krijuar një kanal të fshehtë dhe të drejtpërdrejtë komunikimi me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit. Megjithatë, ky pretendim u mohua më vonë nga Teherani. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
