Pika e Kalimit Kufitar të Kapshticës po përballet me një fluks të shtuar lëvizjesh në nisje të sezonit turistik veror. Gjatë pesë ditëve të fundit, nëpërmjet kësaj pike kufitare kanë kaluar mbi 21 mijë qytetarë dhe më shumë se 8 mijë e 400 automjete.
Ndërsa në anën shqiptare procedurat po menaxhohen normalisht, në palën greke janë krijuar radhë të gjata automjetesh, me kolonën që ka kaluar dy kilometra dhe me pritje mbi një orë për udhëtarët.
Sipas qytetarëve, vonesat janë shkaktuar nga puna me sportele të reduktuara dhe zbatimi i procedurave të reja të kontrollit, që përfshijnë marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe fotografimin e fytyrës për çdo udhëtar.
Autoritetet parashikojnë që fluksi të rritet edhe më tej në javët e ardhshme, ndërsa qytetarët kërkojnë shtim të sporteleve dhe përshpejtim të procedurave për të shmangur pritjet e gjata në kufi. Ndërsa në pikat kufitare të Kakavijës dhe “Tre Urave” situata vijon të jetë e qetë, me mbi 5.700 shtetas dhe rreth 1.900 mjete të përpunuara gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas autoriteteve kufitare, përpunimi i udhëtarëve dhe mjeteve po kryhet normalisht, pa radhë apo probleme.
