Quo vadis, Kosovë?

0%

Ngjarja e sotme në Zogaj të Vushtrrisë duhet të na shqetësojë të gjithëve – jo vetëm katolikët, por çdo qytetar që beson në Republikën e Kosovës si shtet laik, demokratik dhe të së drejtës. Sot, më , në Zogaj të Vushtrrisë u bë bekimi i gurthemelit të Kishës së re Katolike “Shën Flori dhe Lauri”. Ceremonia ishte paraparë të mbahej nesër, më .

Pikërisht këtë datë e mban edhe vetë gurthemeli. Por ceremonia u desh të zhvillohej një ditë më herët. Sipas njoftimit zyrtar të Dioqezës Prizren–Prishtinë, vikarin ipeshkvor Don Fran Kola kishte njoftuar me kohë autoritetet e sigurisë për zhvillimin e ceremonisë fetare. Megjithatë, Policia e Kosovës mori vendim që ceremonia e paraparë për 18 gusht të mos lejohej.

Edhe pas ankesës zyrtare të Don Fran Kolës, vendimi nuk u ndryshua. Dioqeza e ka cilësuar këtë vendim si jokushtetues, joligjor, të padrejtë dhe të pajustifikuar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Për të shmangur tensionet dhe për të mos lejuar që një akt fetar të shndërrohej në shkak për përplasje, Ipeshkvi Dodë Gjergji e bekoi gurthemelin sot, më 17 gusht, në vigjiljen e festës së Shën Florit dhe Laurit, në prani të disa meshtarëve dhe besimtarëve. Pagëzimet dhe kremtimi i paraparë për nesër do të zhvillohen në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.

Pra, duhet të jemi të saktë: Gurthemeli nuk u pengua. Ai u vendos. Por ceremonia publike e paraparë për 18 gusht nuk u lejua të zhvillohej siç ishte planifikuar. Dhe pikërisht këtu fillon problemi i vërtetë. Kush u detyrua të tërhiqej? Për 18 gusht ishin paralajmëruar protesta kundër ndërtimit të kishës. Madje ishte paralajmëruar edhe bllokimi i rrugëve në zonën e Dumnicës dhe Samadrexhës.

Atëherë duhet bërë një pyetje e thjeshtë: Nga kush vinte rreziku për rendin publik? Nga besimtarët që dëshironin të bekonin një gurthemel në pronën e Kishës? Apo nga ata që paralajmëronin protesta dhe bllokime? Çdo qytetar ka të drejtë të protestojë. Kjo është demokraci. Por e drejta për protestë nuk mund të shndërrohet në një të drejtë vetoje mbi lirinë fetare të tjetrit.

Nëse një grup paralajmëron tensione dhe si pasojë kufizohet aktiviteti i palës që dëshiron të lutet në mënyrë paqësore, atëherë krijohet një precedent shumë i rrezikshëm: Ai që bën më shumë presion fiton. Ai që kërcënon me bllokim përcakton se ku dhe kur tjetri mund ta ushtrojë fenë e tij. Kjo nuk mund të jetë logjika e Republikës së Kosovës.

Kundërshtarët humbën dy herë Nëse qëllimi i disa kundërshtarëve ishte që gurthemeli të mos vendosej, ai qëllim dështoi. Gurthemeli tashmë është vendosur. Por humbja e dytë është edhe më e rëndë. Debati i ditëve të fundit ia hoqi maskën një pjese të kundërshtimit. Në fillim u fol për leje ndërtimore. Kjo është një çështje legjitime.

Nëse ekziston apo jo një leje, nëse plotësohen kushtet urbanistike dhe ligjore, këtë duhet ta vendosin institucionet kompetente. Por një bekim gurthemeli nuk është i njëjtë me ndërtimin e objektit. Çështjet administrative zgjidhen me ligj. Jo me bllokada. Jo me presion fetar. Dhe sidomos jo me argumentin se “këtu nuk ka katolikë, prandaj nuk duhet kishë”.

Sepse nëse e pranojmë këtë logjikë, ku përfundon ajo? A duhet një mysliman që jeton në një zonë me shumicë të krishterë të humbasë të drejtën për një xhami? A duhet një katolik që jeton në një fshat me shumicë myslimane të kërkojë leje nga shumica për ta ushtruar fenë e tij? Liria fetare nuk është e drejtë e shumicës. Ajo provohet pikërisht në mbrojtjen e pakicës.

Ku ishte zëri i Bashkësisë Islame? Pikërisht këtu do të ishte dashur një reagim i qartë dhe i fuqishëm nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Vushtrri. Jo domosdoshmërisht një mbështetje për ndërtimin e kishës. Ata kanë të drejtë të kenë mendimin e tyre.

Por do të duhej një mesazh i qartë: “Ne mund të kemi mospajtime, por askush nuk duhet ta pengojë lirinë fetare të bashkëqytetarëve tanë katolikë. Nuk mbështesim bllokada, kërcënime apo tensione ndërfetare.” Ky do të ishte interreligjioziteti i vërtetë. Jo vetëm fotografitë e përbashkëta në pritje zyrtare. Jo vetëm fjalët për tolerancë gjatë festave.

Toleranca provohet atëherë kur mbron të drejtën e tjetrit edhe kur nuk e ndan bindjen e tij. Deri tani, pikërisht ky zë ka munguar. “Shën Flori dhe Lauri” nuk janë një emër i rastësishëm Edhe emërtimi i kishës ka një domethënie të thellë. Kisha do t’i kushtohet Shën Florit dhe Laurit, martirë të traditës së hershme të krishterë të lidhur me Dardaninë.

Kjo na kujton diçka që shpesh harrohet në debatet politike dhe fetare: Krishterimi në territorin e Kosovës së sotme nuk fillon me shtetin mesjetar serb. Gjurmët e krishterimit në Dardaninë antike janë shumë shekuj më të vjetra. Ulpiana dhe lokalitete të tjera të Dardanisë dëshmojnë për një prani të hershme të krishterë në këtë hapësirë.

Po ashtu ekzistojnë dëshmi dhe rrëfime të publikuara se në afërsi të vendit të sotëm në Zogaj janë identifikuar që dekada më parë themele të një kishe të vjetër, të vizituara edhe nga arkeologë kroatë në kohën e ish-Jugosllavisë. Për datimin dhe interpretimin përfundimtar të këtyre gjurmëve duhet të flasë shkenca dhe arkeologjia.

Por një gjë është e qartë: Ideja se krishterimi në këtë trevë është diçka e huaj nuk qëndron historikisht. Dhe çfarë i themi Vatikanit? Kosova prej vitesh përpiqet të paraqitet para botës si një shtet laik, multireligjioz dhe shembull i bashkëjetesës ndërfetare.

Njëkohësisht, institucionet e Kosovës kërkojnë marrëdhënie gjithnjë e më të afërta me Selinë e Shenjtë dhe shpresojnë në njohjen e plotë të Republikës së Kosovës nga Vatikani.

Por atëherë duhet të shtrohet një pyetje e pakëndshme: Si do ta bindim Vatikanin për standardin tonë të lirisë fetare, nëse një ceremoni paqësore katolike duhet të zhvendoset sepse kundërshtarët e saj paralajmërojnë protesta dhe bllokada? Nuk mund të flasim në Romë për tolerancë dhe të dështojmë në Vushtrri kur toleranca vihet realisht në provë. Kosova nuk është shtet mysliman.

Nuk është shtet katolik. Nuk është shtet ortodoks. Kosova është Republikë laike. Dhe pikërisht për këtë arsye ajo ka obligim t’i mbrojë të gjithë. Jo vetëm shumicën. Jo vetëm ata që janë më të zëshëm. Por sidomos ata që janë më të paktë në numër.

Sot Kisha zgjodhi të mos përplaset Në deklaratën e saj, Dioqeza Prizren–Prishtinë ka dhënë një mesazh që meriton respekt: “Ndaj padrejtësisë nuk do të përgjigjemi me përplasje; ndaj urrejtjes nuk do të përgjigjemi me urrejtje, por me dashuri.” Kjo është mënyra e duhur. Por fakti që Kisha zgjodhi qetësinë nuk duhet interpretuar si dobësi. As si heqje dorë nga të drejtat e saj.

Ajo ka bërë të ditur se do t’i ndjekë rrugët institucionale dhe ligjore për mbrojtjen e lirisë fetare dhe të drejtës së pronës. Kështu duhet të funksionojë një shtet. Me institucione. Me gjykata. Me ligj. Jo me rrugë të bllokuara. Quo vadis, Kosovë? Gurthemeli i Kishës së Shën Florit dhe Laurit tashmë është vendosur. Prandaj çështja nuk është më nëse dikush arriti ta ndalojë atë.

Nuk arriti. Çështja është shumë më e madhe: A jemi një shtet që i mbron qytetarët e tij kur ata ushtrojnë të drejtat e tyre në mënyrë paqësore? Apo një shtet ku institucionet zmbrapsen sapo dikush kërcënon me tension?

Nëse një aktivitet i ligjshëm dhe paqësor duhet të ndryshojë datë dhe vend për shkak të presionit nga jashtë, atëherë duhet të kemi guximin të pyesim nëse liria fetare në Kosovë mbrohet vetëm në Kushtetutë – apo edhe në praktikë. Sot gurthemeli i një kishe u vendos në Zogaj.

Por njëkohësisht u vu në provë edhe një gurthemel shumë më i rëndësishëm: karakteri laik, demokratik dhe kushtetues i Republikës së Kosovës. Dhe pikërisht për këtë arsye pyetja mbetet: Quo vadis, Kosovë?

Burimi: Bota Sot