Turqia dhe Irani kanë zhvilluar bisedime për përpjekjet diplomatike për zgjatjen e armëpushimit mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa në qendër të diskutimeve ka qenë edhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit.
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij iranian, Abbas Araghchi, gjatë së cilës dy zyrtarët diskutuan zhvillimet e fundit dhe përpjekjet për të ruajtur armëpushimin mes SHBA-së dhe Iranit, bëri të ditur një burim turk për Reuters.
Sipas të njëjtit burim, Fidan dhe Araghchi diskutuan gjithashtu për përpjekjet për të mundësuar hapjen dhe funksionimin e Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme detare për transportin global të energjisë.
Telefonata u raportua edhe nga agjencia shtetërore iraniane Mehr, e cila tha se Araghchi i shpjegoi homologut turk qëndrimin e fundit të Iranit në bisedimet dypalëshe me Omanin, transmeton Telegrafi.
Ndërkohë, Irani ka bërë të ditur se ka arritur një marrëveshje me Omanin për rrugët e tranzitit përmes Ngushticës së Hormuzit, megjithëse detajet e marrëveshjes ende nuk janë bërë të plota publike. Turqia ka luajtur një rol të rëndësishëm në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit, duke vepruar si një prej ndërmjetësve kryesorë së bashku me Pakistanin dhe Katarin.
Megjithatë, përpjekjet diplomatike për zgjatjen e armëpushimit përballen me pasiguri të reja. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi më herët se SHBA-ja nuk po kërkon zgjatjen e memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar me Iranin për një armëpushim 60-ditor.
Në këtë situatë, Ngushtica e Hormuzit mbetet një prej pikave më kritike të krizës, pasi çdo pengesë në qarkullimin e anijeve përmes saj mund të ndikojë drejtpërdrejt në furnizimin global me naftë dhe në çmimet e energjisë.
Bisedimet mes Turqisë dhe Iranit, së bashku me negociatat e Teheranit me Omanin, mund të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse armëpushimi do të vazhdojë dhe nëse trafiku detar përmes Hormuzit do të rikthehet në normalitet.
