KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ka nisur në fillim të kësaj jave një “tranzicion gradual” të pranisë së përhershme të trupave nga Ura Kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. KFOR-i ka konfirmuar gjithashtu raportimet se në atë ditë në urë ishte parë të qëndronte Policia e Kosovës.
Një zëdhënës i Bashkimit Evropian ka thënë për Gazetën Express se BE-ja ishte informuar nga NATO-ja për këtë zhvillim. “Dislokimi i një misioni të NATO-s në Kosovë është çështje që vendoset nga NATO. Mund të konfirmojmë se BE-ja është informuar nga NATO”, tha zëdhënësi i BE-së.
Zëdhënësi rikujtoi qëndrimin e BE-së të paraqitur në raportin e vitit 2025 për Kosovën, ku thuhej se ura duhet të hapet pas konsultimeve me “partnerët e sigurisë”. Sipas BE-së, ky kusht tashmë është përmbushur pas njoftimit të KFOR-it.
“Qëndrimi i BE-së për urën ka qenë gjithmonë i qartë: pasi të kompletohen punimet në urën Austerlitz në Mitrovicë, si dhe vlerësimet dhe konsultimet shtesë, ura duhet të hapet. Mund të konfirmojmë, siç është përmendur tashmë në raportin vjetor të vitit të kaluar, se ky është vërtet rasti”, thuhet në përgjigje.
Brukseli ka bërë të ditur se është informuar nga KFOR-i edhe për procesin e tranzicionit gradual të pranisë së përhershme. “Si pjesë e mekanizmit me tri nivele të reaguesve të sigurisë në Kosovë, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) është informuar në mënyrë të duhur nga KFOR-i për tranzicionin gradual të pranisë së përhershme.
Misioni do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për të garantuar siguri të përshtatshme për të gjitha komunitetet në të gjithë territorin e Kosovës, në përputhje me mandatin e tij”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit.
KFOR-i ka theksuar se ky proces do të jetë gradual dhe i bazuar në kushte, ndërsa ka thënë se po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë. “Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga Ura Kryesore në Mitrovicë.
Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e dislokimit të KFOR-it.
Ky proces do të jetë gradual, i bazuar në kushte dhe po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e Institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Në të njëjtën përgjigje bëhet e ditur se Shefi i Mbrojtjes i Serbisë, gjenerali Mojsilovic, është informuar rregullisht për këtë proces. Po ashtu, gjeneralmajor Ulutas, Komandanti i misionit të KFOR-it, “mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij kryesorë në Institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë”.
Misioni i NATO-s në Kosovë ka thënë se trupat e KFOR-it janë të pozicionuara mirë “për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant”. Ndërkohë, të hënën KFOR-i njoftoi edhe se ka nisur “integrimin e personelit të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it, në Manastirin e Deçanit”. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!