Tërheqja e KFOR-it , Qarri: Dështuan përpjekjet për ta mbajtur

0%

Analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar vendimin e KFOR-it për të nisur tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme nga Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm për forcimin e institucioneve të Kosovës dhe rritjen e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës.

Qarri ka thënë se politika e Qeverisë së Kosovës dhe vendosmëria për vendosjen e rendit e ligjit në të gjithë territorin e vendit kanë krijuar kushte të reja për sigurinë dhe stabilitetin në veri.

“Politika largpamëse e kryeministrit Kurti, vendosmëria e Qeverisë për vendosjen e rendit e të ligjit në gjithë territorin e Kosovës, ndërtimi i dy urave në të dy anët e Urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, jeta e qetë dhe rivendosja e gjendjes stabile ndëretnike, të cilën ka arritur ta garantojë me sukses të padiskutueshëm policia heroike e Kosovës, nën udhëheqjen e z.Veton Elshani, duke u kujdesur në vijimësi që të mos ndodhte asnjë incident i vetëm tash e mbi tre vite në këtë pjesë të patjetërsueshme të vendit tonë, ua hoqi përfundimisht nga dora edhe adutin e fundit, Serbisë dhe forcave të KFOR-it, që 27 vite pas çlirimit të vendit tonë, Ura kryesore mbi lumin Ibër përfundimisht nga tendenca për shndërrimin në simbolikë të ndarjes, të kthehet në fortifikatën e bashkimit real dhe të përjetshëm të qytetit heroik të minatorëve tanë trima.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Realisht sipas rezolutës 1244 të OKB-së të datës 10 qershor të vitit 1999, vendosja e KFOR-it, në Kosovë parashihte ruajtjen e kufijve shtetëror dhe krijimin e sigurisë nga sulmet e jashtme të forcave ushtarake të Serbisë ndaj vendit tonë dhe jo diktimin e zhvillimeve të brendshme dhe vendosjen e ndarjeve administrative në vendin tonë.

Por derisa sulmi terrorist serb në Banjë të Zveçanit, i cili ndodhi para syve të KFOR-it, ku u vra edhe një polic i Kosovës në detyrë, dëshmoi se përkundër pranisë së forcave të këtij misioni, siguria e kufijve të Republikës së Kosovës linte shumë për të dëshiruar dhe nuk ishte në nivelin e dëshirueshëm, forcat e KFOR-it, kishin vendosur trupa mbi urën kryesore të lumit Ibër në Mitrovicë, dhe pa asnjë nevojë qëndronin ditë e natë aty” , ka thënë ai.

Gani Qarri Sipas Qarrit, largimi i pikës statike të KFOR-it nga ura duhet të shihet si fillimi i transferimit gradual të përgjegjësisë te institucionet vendore.

“Ndaj çmontimi i pikës statike dhe tërheqja e ushtarëve të KFOR-it, nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, megjithëse erdhi pas 26-27 vitesh të pranisë së vazhdueshme dhe vetëm me fillimin e ndërtimit edhe të urës së tretë, mbi lumin Ibër në Mitrovicë nga Qeveria e Kosovës, duhet parë si fillimin më të mbarë që ka mundur të ndodhte, për integrimin qoftë edhe gradual, por transferimin real të përgjegjësisë për Urën kryesore të Mitrovicës te Policia e Kosovës”, akt i cili përfundimisht do të çojë edhe në rihapjen e shumëpritur të kësaj ure.

Ndryshe vendosja e papritur e forcave të KFOR-it, mbi Urën kryesore të lumit Ibër, veçanërisht pas vrasjes së 10 shqiptarëve të pafajshëm, 25 të plagosurve dhe dëbimit brutal brenda nate nga vatrat e veta autoktone të mbi 12 mijë shqiptarëve të pambrojtur në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, nga veriu i vendit tonë, ishte veprim shumë i trishtueshëm, Akt i cili jo vetëm se krijoi ndjenjën më të keqe të mundshme të pasigurisë por dhe shkaktoi frikën e pafund, se nga forcat të cilat nuk ia donin të mirën vendit dhe popullit tonë, pikërisht mbi urën kryesore të qytetit historik të minatorëve, në Mitrovicë, po vendoseshin në heshtje, kufij të rinj dhe po realizohej tkurrja e territorit të Kosovës, përmes imponimit me forcë dhe pa pëlqimin e popullit shqiptar.

Andaj lajm për tërheqjen e KFOR-it nga ura kryesore e lumit Ibër, u pranua si sihariqi më i mirë nga të gjithë qytetarët të cilët ia duan të mirën Kosovës e popullit që i takojnë si dhe i gëzohen me gjithë zemër shtetndërtimit të Republikës tone”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, Qarri e ka vlerësuar marrjen e përgjegjësisë për urën nga institucionet vendore edhe si dëshmi të rritjes së kapaciteteve të Policisë së Kosovës.

“Marrja nën përkujdesje e Urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, është tregues i rritjes së nivelit të sigurisë dhe dëshmi e ngritjes së kapaciteteve vepruese të policisë së shtetit tonë, por dhe zgjerim i potencialit real për marrjen mbi vete të përgjegjësive shtesë edhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për garantimin e stabilitetit politik në vend.

Sipas informatave nga misioni i NATO-s, çështja e tërheqjes së pjesëtarëve të KFOR-it nga Ura kryesore mbi lumin Ibër, ishte diskutuar për një periudhë të gjatë me Qeverinë Kurti pasi që procesi i tërheqjes së KFOR-it nga Ura kryesore e lumit Ibër në Mitrovicë, lidhet edhe me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, akt të cilin, përveç qytetarëve të Kosovës, e ka përshëndetur dhe deklaruar se e mbështet fuqishëm edhe Gjermania, një nga vendet kyçe të BE-së dhe NATO-s, si dhe mike e dëshmuar e shtetit tonë të pavarur.

Ndryshe më 3 shkurt të këtij viti kanë kaluar mbi 26 vjet kujtimi nga “Nata e Tmerrit” kur gati një vit pas përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës nga okupatori serb, në masakrën e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, në veri të Mitrovicës nga grupet e armatosura kriminale serbe dhe pjesëtarët e organizatës terroriste serbe të ashtuquajtur “rojat e urës” në prani të forcave ndërkombëtare, u vranë 10 shqiptarë në mesin e të cilëve edhe gra, pleq e fëmijë të pafajshëm, u plagosën 25 të tjerë si dhe u dëbuan nga veriu mbi 12 mijë shqiptar të pambrojtur, duke ua djegur edhe shtëpitë dhe përndjekur me zjarrin e armëve nga vatrat e veta autoktone në veri të Kosovës.

Tmerr ky që edhe sot kujtohet me dhembje si një nga ngjarjet më të rënda të pasluftës dhe formës më të trishtueshme të spastrimit etnik të shqiptarëve nga veriu i Kosovës, të kryera nga kriminelët serb edhe në vitin e parë të jetës së vendit në liri”, ka theksuar ai.

Duke folur për historinë e urës dhe zhvillimet pas luftës, Qarri ka rikujtuar se hapja e saj për trafik ishte diskutuar në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Akt i paharrueshëm vuajtjeje për të cilin në nderim të dhimbjes, sakrificës dhe guximit të treguar edhe me duar thatë në vetëmbrojtje të banorëve shqiptar të lënë vetëm në natën më të kobshme, Komuna e Mitrovicës te ura e re për këmbësorë, ka vendosur pllakën përkujtimore kushtuar të vrarëve me emrat e tyre të skalitur në këtë pllakë, ka hapur dhe një ekspozitës me fotografi nga Nata e Tmerrit në Qendrën e Kulturës dhe vendosur që me çdo 4 shkurt, të bëhet ndezja e qirinjve dhe mbahen aktivitete të organizuara përkujtimore në kujtim të shqiptarëve të vrarë nga bandat kriminale serbe.

Lajm i mirë për rritjen e sigurisë në vend, po-ashtu, është edhe njoftimi se të njëjtën ditë me vendimin për urën kryesore të lumit Ibër në Mitrovicë, në përputhje me situatën e përmirësuar të sigurisë në Kosovë, ka filluar integrimin gradual dhe transferimi i përgjegjësisë në arkitekturën e sigurisë së personelit të Policisë së Kosovës edhe për Manastirin e Deçanit.

Sa i takon Urës, siç dihet edhe nga “historiku” i bisedimeve dëshpëruese të zhvilluara në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve “Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për hapjen e saj për trafik, qysh në vitin 2014, por megjithëse marrëveshja që atëherë, parashihte largimin e të gjitha barrikadave të vendosura nga kriminelët serb të Milan Radojçiqit, ajo nuk u hap asnjëherë deri më tani, kurse në vitin 2016 u dakordua një plan i ri zbatimi, sipas të cilit ura duhej të hapej për trafik në janar të vitit 2017, e megjithëse në projekt u investuan rreth 1.5 milion euro dhe punimet për revitalizimin e urës përfunduan në qershor të vitit 2018, ura nuk u hap asnjëherë deri më tani”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, ndërtimi i dy urave të reja nga Qeveria e Kosovës ka rrëzuar argumentet se hapja e urës kryesore do të mund të cenonte sigurinë.

“Madje edhe përpjekjet e Qeverisë Kurti për të rihapur urën për automjete nuk u pranuan nga faktori ndërkombëtar, gjë që detyroi Qeverinë e Kosovës të ndërtoi dy ura të reja, në të dy krahët e urës kryesore, njërën për automjete dhe tjetrën për këmbësor, veprim me të cilin rrëzoi për toke çdo arsyetim të pabazuar, të atyre që nuk lejonin hapjen e urës, me pretendimet banale, se mund të përkeqësohej gjendja e sigurisë.

Me vendimin e fundit të KFOR-it, që ura kryesore e Ibrit në Mitrovicë të kalojë në duart e forcës vendore të sigurisë, ashtu siç realisht edhe i takon, dëshmon se përfundimisht dështuan të gjitha tentativat armiqësore e qëllimkëqija që kjo urë të mbante të ndarë qytetin e minatorëve tanë heroik, zhvillim për të cilin përgëzoj të gjithë ata shqiptar dhe ndërkombëtar, të cilët kanë kontribuuar, në çfarëdo forme e mënyre, që të vije deri te kjo ditë.

Largimi qoftë edhe 27 vite pas lufte, i pikës statike dhe pjesëtarëve të KFOR-it, nga Ura kryesore e lumit Ibër në Mitrovicë, gëzon shumë të gjithë qytetarët, veçanërisht shqiptarët e shumëvuajtur dhe të dëbuar me dhunë nga veriu, prej forcave kriminale e pjesëtarëve të organizatave terroriste serbe, zhvillim i mirëseardhur dhe akt i pritur prej kohesh i cili paraqet edhe rritje të besimit të NATO-s në institucionet e Republikës së Kosovës, si dhe u çon mesazh të qartë politik, Serbisë dhe aktorëve tjerë që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe ende synojnë destabilizimin me çdo kusht të veriut të vendit tonë, se përpjekjet e tyre, tanimë kanë dështuar”, ka deklaruar Qarri.

Në fund, ai ka shprehur shqetësimin e tij për faktin se, sipas tij, për zhvillimet rreth urës ishte informuar edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë.

“Por ajo që ende dhemb shumë dhe therë thellë në plagët e shqiptarëve të cilat akoma kullojnë gjak, mbetet fakti se për zhvillimet e proceseve më të reja, sipas KFOR-it, qenka mbajtur i informuar në vijimësi edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë, kur dihet se lidhja e çdo akti të normalizimit të gjendjes në vendin tonë dhe forcimit të shtetësisë së Kosovës me regjimin në Serbi dhe ushtrinë e Serbisë agresore, që ka kryer qindra masakra dhe ka ushtruar terror e shkaktuar gjenocid të përmasave të papara ndaj shqiptarëve të pambrojtur, ringjallin kujtimet më të hidhura dhe përjetohen edhe sot shumë rëndë, derisa vendi ynë ende vazhdon të gjejë varreza masive dhe i mungojnë mbi 1600 trupa të shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar të cilët Serbia edhe 27 vite pas përfundimit të luftës, vazhdon ti mbaj peng dhe për afro tri dekada lë në pritje me varre të hapura për më të dashurit e tyre, familjet e martirizuara shqiptare”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot