Qeveria gjermane ka miratuar një reformë të gjerë të shërbimeve të inteligjencës, duke u dhënë atyre kompetenca të reja për të kryer operacione kibernetike, sabotime dhe masa të tjera të fshehta ndaj kërcënimeve të huaja.
Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, e cilësoi ndryshimin si hyrjen e Gjermanisë në një “epokë të re” për shërbimet sekrete, të cilat deri tani kanë qenë kryesisht të kufizuara në mbledhjen dhe analizimin e informacionit. Reforma vjen në një kohë kur zyrtarët gjermanë akuzojnë Rusinë për zhvillimin e një fushate hibride kundër vendit, përmes sabotimit, spiunazhit dhe dezinformimit.
Gjermania është një prej mbështetësve kryesorë të Ukrainës në luftën kundër Rusisë. Sipas ndryshimeve të propozuara, shërbimet gjermane do të mund të kryejnë sulme kibernetike ndaj sistemeve të huaja të përdorura nga aktorë armiqësorë, të bllokojnë rrjedha financiare dhe, në raste të veçanta, të ndërmarrin edhe misione sabotimi jashtë vendit.
Megjithatë, operacionet vdekjeprurëse, përfshirë atentatet, do të mbeten të ndaluara , raporton Euronews, transmeton Sinjali. Kryetari i komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e inteligjencës, Marc Henrichmann, tha se Gjermania ndodhet “në mes të një konflikti hibrid”, jo vetëm me Rusinë, por edhe me aktorë të tjerë.
Ai argumentoi se kufizimet e deritanishme e kanë lënë Gjermaninë prapa vendeve të tjera evropiane në aftësinë për t’iu përgjigjur kërcënimeve të sigurisë.
Reforma parashikon gjithashtu zgjerimin e kompetencave për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave nga shërbimet BND dhe BfV, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale për të analizuar sasi të mëdha informacioni dhe ruajtjen e të dhënave për periudha më të gjata.
Paketa ligjore, e cila përmban më shumë se 700 faqe, përfshin edhe rregulla të reja për mbikëqyrjen online dhe gjurmimin e individëve. Dobrindt tha se me këto ndryshime Gjermania po “arrin hapin” me vendet e tjera evropiane, ku shërbimet sekrete kanë kompetenca më të gjera. Megjithatë, reforma ka shkaktuar edhe kritika të forta.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave civile kanë paralajmëruar se kompetencat e reja për mbikëqyrjen digjitale mund të cenojnë rëndë të drejtat themelore. Edhe nga partitë opozitare është kundërshtuar zgjerimi i kompetencave.
Deputetja e së Majtës, Clara Bünger, e ka cilësuar reformën si hap drejt një “policie të re sekrete gjermane” , ndërsa lideri i FDP-së, Wolfgang Kubicki, e ka quajtur atë një “shkelje historike të një tabuje”. Projektligji tani duhet të miratohet nga Bundestagu pas pushimeve verore. Nëse kalon, ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
