Shpërndaje në: Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se asgjë nuk ka ndryshuar deri sonte, kur është pyetur nëse Vjosa Osmani mbetet emri i propozuar i kësaj partie për postin e presidentit.
Në një konferencë për media, në momentet e fundit brenda afatit kushtetues për seancën konstituive të legjislaturës së 11-të, Haziri ka thënë se LDK-ja në negociata me Vetëvendosjen ka kërkuar “vetëm balancë institucionale”. Sot kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e caktoi vazhdimin e kësaj seance për të shtunën edhe pse afati kushtetues mbaron të premten.
Partitë opozitare, PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja kanë qëndruar në Kuvend në orët e fundit të së premtes, por nuk pati seancë. Haziri qëndrimin në Kuvend e ka quajtur “mbrojtje të rendit kushtetues”. Ai ka thënë se Vetëvendosje është dashur ta ftonte seancën sonte për të respektuar rendin kushtetues.
Haziri po ashtu ka deklaruar se për pjesëmarrjen në seancën e ftuar të shtunën, LDK-ja do të mblidhet në mëngjes për të vendosur. Haziri ka thënë se LDK-ja është e hapur për takime të tjera me VV-në, edhe pse të premten liderët e të dyja partive u shprehën se janë larg arritjes së një marrëveshjeje për formim institucionesh.
LDK-ja ka kërkuar që ta propozojë emrin e presidentit, ndërsa kjo kërkesë nga VV-ja është cilësuar si “dallim i madh me rezultatin zgjedhor”. Edhe Arbëri 24 qer 2026 Sqarohet Haziri, thotë se Osmani mbetet i vetmi propozim i LDK-së për president Këtë kërkesë, Haziri e ka cilësuar me “ofrimin dy herë të postit të kryeministrit për parti të tjera, pavarësisht fitoreve në zgjedhje”.
“S’kemi marrë institucione vetëm për vete. S’po flasim për pozitën e kryeministrit sot. Por për balancim të rolit tonë. Nëse qeverinë e ka partia e parë duhet të balancojë pushtetin me partnerët”, ka thënë ai. “Kur zgjidhet një president me 2/3 është konsensual dhe e merr kushtetutën nën sqetulla, është i të gjithëve dhe ruan rendin kushtetues”.
Haziri ka mohuar se emri i tij është përmendur në diskutime për postin e presidentit.
