Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të 12 produkteve të Qumështores VITA, pasi kontrollet zyrtare dhe analizat laboratorike kanë konstatuar se ato nuk janë në përputhje me deklarimin e bërë për konsumatorët.
Në njoftimin e AUV-së thuhet se në produktet e paraqitura dhe tregtuara si produkte me përmbajtje shtazore është konstatuar prani e vajit të palmës, qumështit pluhur dhe niseshtes së padeklaruar.
“Në tërësi, 12 produkte të paraqitura dhe tregtuara si produkte me përmbajtje shtazore janë konstatuar jokonforme, për shkak të pranisë së vajit të palmës, qumështit pluhur dhe/ose niseshtes së padeklaruar. Për këto produkte është urdhëruar tërheqja nga tregu”, thuhet në njoftimin e AUV-së. Sipas Agjencisë, gjetja më serioze lidhet me produktet e shitura dhe deklaruara si qumësht.
“Katër mostra të katër produkteve të shitura, prezantuara dhe deklaruara si qumësht kanë rezultuar jokonforme: dy me prani të vajit të palmës dhe dy me prani të qumështit pluhur, të padeklaruara për konsumatorin” , thekson AUV. Agjencia bën të ditur se këto produkte kanë dalë nga i njëjti objekt dhe aktivitet i aprovuar për prodhimin dhe përpunimin e qumështit.
Nga produktet e qumështit të analizuara, vetëm një markë ka rezultuar pa prani të vajit të palmës dhe qumështit pluhur dhe nuk është cilësuar jokonforme. Megjithatë, AUV njofton se për shkak se ky produkt prodhohet në të njëjtin objekt dhe në linjën e qumështit ku janë konstatuar mospërputhjet, ai është vendosur nën mbikëqyrje të shtuar dhe ritestim të vazhdueshëm.
Kontrolli, sipas njoftimit, ka evidentuar edhe 26 produkte me përmbajtje bimore, të prodhuara jashtë fushëveprimit të aprovimit të operatorit. “Për këtë aktivitet është urdhëruar ndalimi i prodhimit deri në marrjen e aprovimit përkatës nga AUV ”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, raporti evidenton aktivitet me bazë yndyre bimore dhe proteine qumështi, për të cilin gjatë kontrollit nuk ishte paraqitur autorizimi i posaçëm. AUV ka bërë të ditur se masat e ndërmarra përfshijnë tërheqjen e 12 produkteve jokonforme nga tregu, mbikëqyrjen e shtuar dhe ritestimin e vazhdueshëm të linjës së qumështit, si dhe ndalimin e prodhimit të 26 produkteve jashtë aprovimit.
Agjencia po ashtu ka urdhëruar ndalimin e paraqitjes mashtruese të produkteve dhe të lëshimit të certifikatave veterinare deri në eliminimin e mospërputhjeve të konstatuara.
