Hajduku e do edhe një shqiptar

0%

Ditët e fundit, mediat polake kanë raportuar se futbollisti shqiptar Lindon Selahi është një nga lojtarët që është vendosur në listën e transferimeve të klubit polak të elitës Widzew Lodz. Klubi, i cili sezonin e kaluar përfundoi në vendin e 14-të në kampionat, e ka nisur sezonin e ri me dy barazime, ndërsa Selahi ka luajtur vetëm 9 minuta në këto dy ndeshje.

Kjo situatë bëri që gazetarët e mediumit kroat “Index” të kontaktonin agjentin e Selahit, Adrian Aliaj, i cili konfirmoi se largimi i mesfushorit nga klubi gjatë kësaj vere është një mundësi reale. “Selahi ka edhe dy vite kontratë me Widzewin.

Natyrisht, ai dëshiron të luajë më shumë dhe po shqyrtojmë edhe mundësi të tjera, por problemi kryesor është kontrata, pasi ai ka një pagë shumë të lartë. Do të shohim çfarë do të ndodhë deri në fund të afatit kalimtar” , tha Aliaj. Kur Selahi u largua nga Rijeka verën e kaluar, u përfol shumë për një transferim të mundshëm te Hajduku.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Edhe vetë lojtari kishte deklaruar se kishte oferta nga klube kroate. Për interesimin e Hajdukut, Aliaj tha: “Hajduku më ka telefonuar disa herë dhe kemi biseduar për mundësinë e një huazimi. Trajneri Garcia ka punuar me Selahin te Twente dhe e njeh shumë mirë. Por problemi është paga. Widzew kërkon që Hajduku ta paguajë të gjithë rrogën e tij”.

Kujtojmë se Selahi u largua nga Rijeka pas një sezoni të shkëlqyer dhe nënshkroi një kontratë trevjeçare me Widzew Lodz, ku shkoi me ftesë të trajnerit Zhelko Sopiq, për një pagë prej rreth 500 mijë euro në vit. Sezonin e kaluar Selahi zhvilloi 25 ndeshje për Widzewin, duke përfshirë edhe një paraqitje si zëvendësues.

Selahi është reprezentues i Shqipërisë, megjithëse ka lindur në Belgjikë. Ai është rritur në akademinë e Anderlechtit, ka luajtur edhe për Standard Liege, ndërsa më pas veshi fanellat e klubeve holandeze Twente dhe Willem II. Në verën e vitit 2021 ai iu bashkua Rijekës, ku u bë një nga lojtarët më të rëndësishëm të mesfushës.

Me Rijekën zhvilloi 153 ndeshje, shënoi 9 gola dhe dha 4 asistime. Ai ishte pranë largimit edhe në verën e vitit 2024, por rinovoi kontratën dhe zhvilloi një nga sezonet më të mira të karrierës së tij. Hajduku ka tre shqiptarë në petkun e vet, si Ron Raçi, Adrion Pajaziti dhe Etnik Brruti.

Burimi: Bota Sot