Mënyra se si kompanitë publikojnë informacionet e tyre online po ndryshon bashkë me mënyrën se si publiku kërkon përgjigje. Krahas Google dhe mediave sociale, ChatGPT, Claude dhe platforma të tjera të inteligjencës artificiale po përdoren gjithnjë e më shumë për të kërkuar informacione rreth kompanive, produkteve dhe zhvillimeve të fundit.
Kjo po i jep një rol tjetër edhe njoftimeve për media. Një raport i publikuar nga Notified dhe PRWeek, me titull “AI Is Your Audience: Making Your Content Soar”, tregon se përmbajtjet që kompanitë publikojnë në media përmes njoftimeve po bëhen pjesë e rëndësishme e burimeve që sistemet e IA-së përdorin për të krijuar përgjigje.
Raporti mbështetet në analizimin e më shumë se 250,000 njoftimeve për media dhe afro 250 milionë citimeve të IA-së. Nga këto të dhëna, Notified ka identifikuar katër elemente që ndikojnë në mundësinë që një përmbajtje të përzgjidhet: struktura, origjinaliteti, autoriteti dhe aktualiteti. Pse inteligjenca artificiale i përdorë këto përmbajtje?
Arsyeja lidhet në masë të madhe me mënyrën se si shkruhet një njoftim për media. Në një tekst të tillë zakonisht përcaktohen qartë kompania, personat e përfshirë, data, produkti ose zhvillimi që po prezantohet dhe të dhënat që e mbështesin informacionin.
Sipas raportit të Notified dhe PRWeek, përmbajtjet që paraqesin qartë faktet, përfshijnë të dhëna origjinale dhe mbështeten në burime të identifikueshme kanë më shumë mundësi të përzgjidhen dhe të citohen në përgjigjet e IA-së. Aktualiteti është elementi tjetër: përmbajtjet duhet të përditësohen dhe të mbeten relevante me kalimin e kohës.
Studimi gjeti gjithashtu se njoftimet për media shfaqeshin dukshëm më shpesh kur përdoruesit kërkonin informacione për zhvillimet dhe trendet e një industrie sesa në pyetjet e tipit “cilat janë më të mirat”.
Pra, njoftimi zyrtar mund t’i japë IA-së informacionin bazë për një kompani, ndërsa raportimi në media dhe burimet e identifikueshme vazhdojnë të luajnë rol të madh në mënyrën se si ai informacion konfirmohet dhe prezantohet.
Prania mediale po bëhet më e rëndësishme Për vite me radhë, rezultatet e marrëdhënieve me publikun janë matur kryesisht përmes numrit të publikimeve në media, shikimeve apo klikimeve. Me rritjen e kërkimit përmes IA-së, kësaj liste po i shtohet edhe një element tjetër: a po përdoret informacioni i kompanisë kur IA-ja formulon një përgjigje?
Nëse përdoruesi po kalon nga kërkimi i një liste me rezultate te kërkimi i një përgjigjeje të drejtpërdrejtë, atëherë kompanitë duhet të mendojnë edhe për informacionin mbi të cilin ndërtohet ajo përgjigje.
Në këtë ndryshim, njoftimet për media po marrin një funksion shtesë: po shndërrohen në burime të strukturuara që sistemet e Inteligjencës Artificiale mund t’i gjejnë, verifikojnë dhe përdorin në përgjigjet e tyre.
