Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas publikimit të rezultateve të analizave të produkteve të qumështit nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), duke thënë se në disa produkte janë evidentuar shkelje serioze.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka deklaruar se siguria e ushqimit nuk duhet të trajtohet si çështje teknike, por si çështje që lidhet drejtpërdrejt me shëndetin dhe të drejtat e konsumatorëve.
Sipas saj, analizat kanë zbuluar raste ku në produktet e qumështit është përdorur qumësht pluhur, vaj palme dhe hirrë pa u deklaruar në etiketë, ndërsa është përdorur edhe ujë i destinuar për ujitje gjatë procesit të prodhimit. “Kur qytetari paguan për qumësht dhe merr diçka tjetër, ai është mashtruar.
Kur në prodhimin e ushqimit përdoret ujë i papërshtatshëm, nuk flasim më vetëm për etiketë, flasim për shëndetin e qytetarëve”- ka shkruar Haxhiu. Ajo ka ngritur shqetësime edhe për faktin se industria e qumështit përfiton mbështetje nga shteti përmes subvencioneve dhe lehtësirave të ndryshme.
“Kjo bëhet edhe më e rëndë kur kemi parasysh se kjo industri merr mbështetje nga shteti, subvencione, lehtësira dhe para publike. Pra merr nga qytetari përmes shtetit dhe pastaj po atij i shet një produkt që nuk përputhet me deklarimin dhe rrezikon shëndetin e tij” – ka deklaruar ajo.
Haxhiu ka thënë se në këtë situatë janë dëmtuar edhe fermerët, të cilët sipas saj e kanë dorëzuar qumështin pa shtesa apo zëvendësime, ndërsa vonesat në pagesa kanë qenë të vazhdueshme. “Fermeri e ka dorëzuar qumështin ashtu siç është, pa shtesa dhe pa zëvendësime, dhe pastaj ka pritur gjatë për t’u paguar.
Ndërkohë ata që e zëvendësuan përmbajtjen me përbërës të lirë e mbajtën çmimin të njëjtë dhe e rritën fitimin” – ka shkruar ajo. Sipas ushtrueses së detyrës së Presidentes, përgjegjësit duhet të përballen me masa konkrete, duke kërkuar tërheqjen nga tregu të produkteve me shkelje kritike dhe pezullimin e veprimtarive që operojnë pa autorizim.
“Produktet me shkelje kritike duhet të tërhiqen nga tregu. Veprimtaria pa autorizim duhet të suspendohet, kushdo qofshin ata. Nëse ka elemente të veprës penale, çështja duhet t’i kalojë prokurorisë” – ka deklaruar Haxhiu. Ajo ka kërkuar që kontrollet të zgjerohen edhe në sektorë të tjerë të industrisë ushqimore, duke theksuar se konsumatori duhet të ketë siguri për atë që konsumon.
“Qytetarët duhet të hanë dhe të pinë atë për të cilën paguajnë” – ka përfunduar Haxhiu. Reagimi i saj vjen pas publikimit të AUV-it për rezultatet e kontrolleve dhe analizave laboratorike ndaj disa operatorëve të industrisë së qumështit, ku janë evidentuar produkte që dyshohet se nuk përputhen me deklarimin e tyre në etiketë.
Analizat e kryera nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në mostrat e marra gjatë periudhës prill–korrik 2026 nga inspektorët veterinarë dhe fitosanitarë kanë nxjerrë në pah shkelje të theksuara të rregullave të etiketimit dhe standardeve të sigurisë ushqimore në treg.
Nga testimet laboratorike të bëra mbi një varg produktesh të qumështit dhe nënprodukteve të tij — si djathë, gjizë, ajkë, krem pite, kos dhe margarinë — është detektuar prania e vajit të palmës dhe yndyrave bimore të cilat nuk kanë qenë të deklaruara në paketimin e produktit.
Më poshtë është lista e plotë e kompanive, që sipas AUV-it kanë përdorur vaj palme dhe yndyra bimore, gjë të cilën nuk e kanë deklaruar në etiketë. Aldi ABI Sh.p.k. Abrazen (VITA) Ajka Sh.p.k. Anor BEST BT Bylmeti Dauti Delfini Elkos Golaj Sh.p.k. Korabi Purato Grandi Natyra G Korabi Magic Ice Teos Sh.p.k Drena Sh.p.k.
Piko Kosova Proex Viva Fresh Visioni Rezultatet zyrtare tregojnë se dhjetëra produkte të prodhuara ose të importuara në Kosovë kanë rezultuar me prani të vajit të palmës dhe, në disa raste, edhe të yndyrave bimore të padeklaruara në etiketë, duke ngritur dyshime për mashtrim të konsumatorëve.
Mostrat janë marrë nga komisioni i AUV-së, inspektorët e brendshëm, inspektorët veterinarë kufitarë dhe inspektorët fitosanitarë. Sipas dokumenteve të AUV-së, vaji i palmës është gjetur në produkte të ndryshme, duke përfshirë gjizë, ajkë, shmand, djathë krem, qumësht, krem për pite, kos me kajmak, speca me ajkë e produkte të tjera.
Në mesin e kompanive të evidentuara është “Aldi”, ku në produktin Gjizë mostra e marrë nga komisioni i AUV-së është detektuar vaj palme i padeklaruar në paketim, ndërsa nuk janë detektuar dhe as deklaruar yndyra të tjera. Te “ABI” SH.P.K., analiza e produktit Krem i freskët, mostër e marrë nga inspektorët e brendshëm, ka konfirmuar praninë e vajit të palmës të padeklaruar.
Në këtë rast, yndyra bimore është detektuar, por ka qenë e deklaruar në etiketë. Ndërkaq, te produkti Speca në krem, gjithashtu i marrë nga inspektorët e brendshëm, është konstatuar prani e vajit të palmës dhe e yndyrës bimore, të dyja të padeklaruara. Edhe kompania “Abrazen” rezulton me disa gjetje.
Në produktin Hola Cream është detektuar vaj palme i padeklaruar, ndërsa yndyrat bimore kanë qenë të deklaruara. Në produktin Qumësht është gjetur vaj palme i padeklaruar pa u detektuar yndyra bimore. Dy mostra të ndara të produktit Qumësht UHT kanë rezultuar me prani të vajit të palmës dhe yndyrave bimore të padeklaruara.
Te “Ajka” SH.P.K., produkti Ajkë shmand ka rezultuar me prani të vajit të palmës dhe yndyrave bimore të padeklaruara. Edhe produkti Double Cream i kompanisë “Anor”, mostër e marrë nga inspektorët e brendshëm, ka rezultuar me vaj palme të padeklaruar, ndërsa nuk janë detektuar yndyra bimore.
Në produktin Margarinë të kompanisë “Best BT”, mostër e marrë nga inspektorët kufitarë, janë detektuar si vaji i palmës ashtu edhe yndyrat bimore. Kompania “Bylmeti” figuron me tri produkte në listën e AUV-së. Te Krem pite për vakum janë gjetur vaj palme dhe yndyra bimore të padeklaruara.
Te Shmand i freskët është detektuar vetëm vaj palme i padeklaruar, ndërsa te Krem për pite është konstatuar po ashtu prani e vajit të palmës të padeklaruar. Në produktin Përgatitje ushqimore me yndyrë bimore “Olioscombi” të kompanisë “Dauti”, mostër e marrë nga inspektorët kufitarë, është detektuar vaj palme i padeklaruar, ndërsa yndyrat bimore kanë qenë të deklaruara në etiketë.
Një situatë e ngjashme është evidentuar edhe te kompania “Delfini”, ku produkti Bianca – Përgatitje e ushqimit me yndyrë bimore, i marrë nga inspektorët kufitarë, ka rezultuar me vaj palme të padeklaruar, megjithëse yndyrat bimore kanë qenë të deklaruara. Te “Elkos”, produkti Rekordija nga Ajka ka rezultuar me vaj palme të padeklaruar, ndërsa yndyrat bimore kanë qenë të deklaruara.
Edhe produkti Margarinë ka rezultuar me vaj palme të padeklaruar, kurse yndyrat bimore kanë qenë të deklaruara. Në kompaninë “Golaj” SH.P.K., produkti Kos me kajmak, mostër e marrë nga inspektorët e brendshëm, ka rezultuar me vaj palme të padeklaruar, ndërsa nuk janë detektuar yndyra bimore.
Ndryshe nga shumica e mostrave, produkti Qumësht UHT 3.5% i kompanisë “Lactalis” SH.P.K., i marrë nga inspektorët kufitarë, ka rezultuar pa prani të vajit të palmës dhe pa yndyra bimore, duke kaluar edhe testet e tjera laboratorike. Në produktin Margarinë Rosa të kompanisë “Grandi” është konstatuar vaj palme i padeklaruar.
Kompania “Natyra G” ka rezultuar me vaj palme dhe yndyrë bimore të padeklaruar në produktin Double Cream. Edhe produkti Gjizë i kompanisë “Magic Ice” ka rezultuar me vaj palme të padeklaruar. Në produktin Mazë Tradicionale Milkette të kompanisë “Teos” janë detektuar si vaj palme ashtu edhe yndyrë bimore të padeklaruar.
Te kompania “Drena” SH.P.K., produkti Mazë Tradicionale ka rezultuar me vaj palme të padeklaruar. Në rastin e kompanisë “Piko Kosova”, produkti Yndyrë bimore, mostër e marrë nga inspektorët fitosanitarë, ka rezultuar me prani të vajit të palmës, por kjo është konsideruar brenda normave, pasi vetë produkti deklarohet si yndyrë bimore.
Numrin më të madh të gjetjeve e ka kompania “Proex”, e cila sipas dokumenteve të AUV-së rezulton me tetë produkte ku është detektuar vaj palme i padeklaruar. Bëhet fjalë për produktet Krem për pite, Djathë krem, Krem Barjet, Krem për speca të ngrirë, Gjizë për pite, Gjizë, Lëng me speca dhe Speca me ajkë, të gjitha me të njëjtën gjetje – prani e vajit të palmës të padeklaruar.
Edhe në njësinë “Viva Fresh” (Njësia 87), produkti Krem për pite ka rezultuar me vaj palme dhe yndyrë bimore të padeklaruar. Në fund të listës figuron kompania “Vizioni”, ku produkti Pica Gauda, mostër e marrë nga inspektorët kufitarë, ka rezultuar me vaj palme të padeklaruar.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë të ditur se gjatë periudhës prill–korrik 2026 ka zhvilluar një aksion të zgjeruar të kontrollit në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit, gjatë të cilit janë marrë 495 mostra për analiza laboratorike.
Kryeshefi Ekzekutiv i AUV-së, Bekim Hoxha, tha se aksioni është realizuar në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me fokus në sigurinë ushqimore, autenticitetin e produkteve dhe përputhshmërinë e etiketimit.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), gjatë periudhës prill–korrik 2026 ka realizuar një aksion të zgjeruar të kontrollit në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit, me qëllim verifikimin e sigurisë ushqimore, autenticitetit të produkteve, përputhshmërisë së etiketimit me legjislacionin në fuqi dhe mbrojtjen e konsumatorit” – deklaroi Hoxha.
Sipas tij, kontrollet janë zhvilluar në të gjithë zinxhirin e sektorit të qumështit. “Janë kryer kontrolle në treg, në njësitë prodhuese, në depo, në pikat kufitare dhe tek operatorët ekonomikë që ushtrojnë aktivitet në sektorin e qumështit” – tha ai. Hoxha njoftoi se gjatë aksionit janë marrë gjithsej 495 mostra, të cilat janë analizuar për një sërë parametrash.
“Si rezultat i këtij aksioni janë marrë gjithsej 495 mostra, të cilat janë analizuar për parametra të ndryshëm të autenticitetit dhe sigurisë ushqimore, duke përfshirë përmbajtjen e yndyrës, proteinës, praninë e vajit të palmës, yndyrave bimore, niseshtesë, amidonit dhe qumështit pluhur” – deklaroi ai.
Sipas kryeshefit të AUV-së, monitorimi ka ofruar për herë të parë një pasqyrë të bazuar në evidenca për gjendjen e sektorit. “Rezultatet e këtij monitorimi kanë ofruar, për herë të parë, një pasqyrë të plotë, të qartë dhe të bazuar në evidenca mbi gjendjen reale të sektorit.
Ky aksion përfaqëson një nga proceset më të gjera dhe më gjithëpërfshirëse të kontrollit zyrtar të ndërmarra deri më tani në sektorin e qumështit” – tha Hoxha. Ai bëri të ditur se analizat laboratorike kanë evidentuar 93 mospërputhje, ndërsa pothuajse gjysma e tyre lidhen me vajin e palmës.
“Nga gjithsej 93 mospërputhje të identifikuara, 46 raste kanë të bëjnë me praninë ose deklarimin e vajit të palmës. Kjo përfaqëson pothuajse gjysmën e të gjitha mospërputhjeve të evidentuara gjatë aksionit dhe e bën vajin e palmës çështjen më të shpeshtë të identifikuar gjatë kontrolleve tona” – deklaroi Hoxha.
“Nga analizat në laboratorin e AUV-it, mbi 90 për qind të rasteve të mospërputhjeve përbërësit nuk janë proklamuar në etiketë në mënyrën e kërkuar sipas legjislacionit në fuqi. Kjo nënkupton se konsumatori nuk ka pasur informacion të plotë dhe të saktë mbi përbërjen e produktit që ka blerë”, ka thënë ai gjatë konferencës.
Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka deklaruar se qumështi i prodhuar nga fermerët e Kosovës është cilësor, por sipas tij, jo gjithmonë e ruan këtë cilësi pasi dorëzohet për përpunim. Muja ka paralajmëruar masa ndaj operatorëve që konstatohen me shkelje.
Sipas tij, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) fillimisht do t’i komunikojë masat, ndërsa më pas do të hartohet një matricë e përputhshmërisë për operatorët. “Produktet me shkelje kritike do të tërhiqen nga tregu. Aktivitetet e paligjshme dhe të paautorizuara duhet të pezullohen, ashtu siç e kërkon ligji.
Ndërsa aktivitetet e tjera duhet të monitorohen në mënyrë rigoroze nga AUV-ja, për t’u siguruar se produktet i përmbushin kriteret” – ka thënë Muja. Ai shtoi se operatorët që kanë bërë shkelje për përfitim do të përballen me masa korrigjuese.
