Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se aktualisht nuk ekziston asnjë marrëveshje për koalicion mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), por ka vlerësuar se posti i presidentit për LDK-në do të ishte një mekanizëm për balancimin e pushteteve në vend.
Bajrami ka thënë se nuk mund të japë qëndrim për një marrëveshje që ende nuk është arritur, ndërsa ka theksuar se çdo dakordim do të vlerësohet vetëm pasi të dihen detajet e tij. LDK ka mbledhur grupin parlamentar një ditë para seancës konstituive.
“Momentalisht nuk ka marrëveshje, në momentin kur po flasim dhe tash kur e kemi takimin, nuk ka marrëveshje, nuk ka koalicion, kështu që nuk mund të jap qëndrim për diçka që nuk ekziston në fakt. Unë nuk i di detajet e takimit, por nga ajo që kam parë në media, kryetari i LDK-së me të drejtë më duket që insiston në pozitën e presidentit” – tha Bajrami.
Sipas saj, marrja e pozitës së presidentit nga LDK-ja do të garantonte një ndarje më të balancuar të pushtetit dhe do të ishte në interes të vendit. “Mendoj që pozita e presidentit do të siguronte një balancim të pushteteve në Kosovë dhe kjo do të ishte në favor, do të ishte një siguri për Kosovën dhe gjithashtu një siguri për Lidhjen Demokratike të Kosovës” – u shpreh ajo.
E pyetur nëse do të mbështeste një marrëveshje ku presidenti nuk do t’i takonte LDK-së, Bajrami tha se nuk mund të japë përgjigje pa e parë përmbajtjen e saj. “Për marrëveshjen nuk mund të them që e votoj ose nuk e votoj pa e parë natyrën e saj. Ka marrëveshje të ndryshme. Ju e dini se në vitin 2014, LDK-ja përmes një marrëveshjeje e mori postin e kryeministrit dhe gjysmën e qeverisë.
Por ka edhe marrëveshje të tilla si ajo që po e ofron tani zoti Kurti, me disa pozita në qeveri, të cilat në fakt mund t’i marrë edhe pas disa javësh” – tha ajo. Bajrami ka theksuar se një marrëveshje që do t’i siguronte LDK-së pozitën e presidentit do të trajtohej me seriozitet, duke e konsideruar atë si një formë të balancimit institucional.
Ajo gjithashtu ka përsëritur kundërshtimin e saj për mundësinë e zgjedhjeve të reja, duke bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje që, sipas saj, duhet të jetë në interes të Kosovës. “Jam kategorikisht kundër shkuarjes përsëri në zgjedhje dhe jam për një marrëveshje të mirë, e cila është e mirë për Kosovën, rrjedhimisht edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Duhet të mbizotërojë interesi i Kosovës dhe t’i mbivendoset çdo interesi personal” – tha Bajrami. Edhe deputetja e zgjedhur, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se qëndrimi i kësaj partie është që posti i presidentit t’i takojë LDK-së, me arsyetimin se institucionet kryesore të vendit duhet të reflektojnë balancë mes forcave politike.
Duke folur për mediat një ditë para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Lushaku-Sadriu ka thënë se LDK është e gatshme të diskutojë për ndarjen e përgjegjësive institucionale, por kërkesa e saj për pozitën e presidentit mbetet e pandryshuar.
“Ju e dini që LDK gjithmonë ka thënë që institucionet kryesore të vendit duhet të sigurojnë një balancë mes fuqive politike, të partive politike. Pra, edhe në këtë kuptim, kërkesa jonë është që presidenti t’i takojë LDK-së, në kuptimin që të diskutojmë së bashku për gjithë pushtetin dhe pastaj të bëhet ndarja në mënyrë proporcionale. Ky ka qenë qëndrimi” – tha Lushaku-Sadriu.
E pyetur nëse pritet të ketë takim mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ajo tha se nuk ka informacione për një takim të tillë. Deklaratat e Lushaku-Sadriut vijnë në prag të konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit dhe në kohën kur partitë politike po zhvillojnë diskutime për krijimin e institucioneve të reja.
Nuk ka ende marrëveshje pas takimit të dytë mes kreut të LVV-së, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit të dytë që u mbajt më .
Palët kanë zhvilluar diskutime për mundësinë e krijimit të institucioneve, por kanë bërë të ditur se bisedimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, derisa kanë mbetur më pak se dy ditë deri te seanca konstituive, dhe tri ditë nga afati kushtetues për formimin e Kuvendit.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka vlerësuar si të mbarë takimin e zhvilluar të martën, m[ , me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke bërë të ditur se diskutimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Abdixhiku tha se LDK-ja ka hyrë në këto bisedime me vullnet të mirë, duke respektuar rezultatin zgjedhor dhe me qëllim që të shmangen zgjedhjet e reja. “Ishte takim i mirë, i mbarë. I trajtuam çështjet e ndryshimeve programore, politike dhe të ardhmeve strategjike. Do të përpiqemi edhe ditëve në vazhdim të kemi diskutime më thelbësore”- deklaroi Abdixhiku.
Sipas tij, gjatë takimit janë trajtuar çështje programore, politike dhe strategjike për të ardhmen e vendit. Ai theksoi se për krijimin e institucioneve nevojitet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që garanton balancë demokratike dhe përfaqësim të LDK-së.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka paralajmëruar se zgjedhjet e reja mund të bëhen të pashmangshme nëse nuk arrihet një marrëveshje politike dhe nuk ka hapa përpara në procesin e krijimit të institucioneve.
“Askush nuk i do zgjedhjet e reja, mirëpo nëse nuk do të kemi marrëveshje, nëse nuk do të kemi hapa përpara, përkundër mosdëshirës që të shkojmë në zgjedhje të reja, fatkeqësisht ato mund të shkaktohen”- ka deklaruar Kurti pas takimit me Abdixhikun që përfundoi pa marrëveshje.
Ai tha se për këtë situatë janë të vetëdijshme edhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, duke shtuar se do të vazhdojnë komunikimin dhe takimet për të gjetur një zgjidhje.
“Do të përpiqemi maksimalisht, do të vazhdojmë komunikimin dhe takimet, por ndërkohë që e bëjmë këtë, meqenëse janë afruar ditët, koha është shkurtuar dhe do të na duhet që edhe në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike në ditën e nesërme, pasnesër të jemi në fillimin e seancës konstituive të legjislaturës së XI”- ka thënë ai.
Nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 7 gusht, procesi kushtetues hyn në fazën e zgjedhjes së presidentit, për të cilin Kushtetuta parasheh një afat 60-ditor. Në rast se edhe presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon sërish në zgjedhje.
