Pakistani kufizon raportimin e mediave ndërkombëtare

0%

Autoritetet pakistaneze kanë vendosur kufizime të reja për raportimin e mediave ndërkombëtare në vend, një veprim që ka nxitur kritika të ashpra të organizatave të gazetarëve, ka raportuar të mërkurën () televizioni BBC . Kushdo që punon për mediat e huaja, përfshirë shtetasit pakistanezë, tani duhet të kërkojë leje për raportim nga kudo përveç qyteteve Islamabad, Karaçi dhe Lahore.

Kufizimet do ta lënë raportimin mediave të huaja nga terreni në diskrecionin dhe kohën e përcaktuar nga autoritetet në pjesën më të madhe të Pakistanit, i cili aktualisht renditet i 153-ti nga 180 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.

“Këto udhëzime janë të barabarta me ngufatjen e mediave ndërkombëtare në një hapësirë ​​gjithnjë e më të vogël” – ka thënë komentatori politik, Mustafa Nawaz Khokhar. Kufizimet në media nuk janë të reja, por mediat lokale shpesh i nënshtrohen më shumë presionit sesa mediat ndërkombëtare. “Publiku shikon mediat ndërkombëtare për raportim të pavarur” – thotë Khokhar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Vendosja e kufizimeve thjesht krijon më shumë hapësirë ​​për dezinformim dhe përhapje të lajmeve të rreme”. Qeveria e Pakistanit ka thënë se udhëzimet, të nxjerra të dielën, nuk kanë për qëllim kufizimin e medias, por “ofrimin e një mekanizmi administrativ” për të verifikuar median, për të lehtësuar qasjen dhe për të koordinuar kërkesat e raportimit.

Rregullat e reja, të shpallura si Udhëzimet për Lehtësimin e Medias së Huaj, 2026, nuk përcaktojnë sesa kohë mund të zgjasë marrja e lejes, e njohur si Certifikatë Pa Kundërshtim, ose NOC.

Gazetarët e huaj tashmë kërkojnë NOC-in dhe mund të presin me muaj për leje ose të mos marrin kurrë përgjigje, duke e kufizuar rëndë mundësinë e tyre për t’i raportuar lajmet e fundit nga terreni në vendin me 240 milionë banorë.

Prandaj, mediat ndërkombëtare shpesh mbështeten te shtetasit pakistanezë, të cilët mund të udhëtojnë më lehtë, ose janë të vendosur përgjithmonë në qytete si Peshauar ose Kueta, për të verifikuar informacionin.

Sipas udhëzimeve të reja, çdo kontribuues, përfshirë punonjësit e pavarur, që jetojnë jashtë tre qyteteve të specifikuara duhet të kërkojë leje nga NOC për të mbuluar çfarëdo raportimi. “Këto janë kufizime qesharake dhe janë krejtësisht të papranueshme” – ka thënë Zaffar Abbas, redaktor i gazetës “Dawn”.

“Kam punuar si gazetar në këtë vend për më shumë se 40 vjet dhe kam raportuar gjatë kohës së dy sundimtarëve ushtarakë dhe një numri rregullash autokratike civile, por nuk kam parë kurrë vendosjen e kufizimeve të tilla” – ka thënë ai, duke shtuar: “Të kërkosh gazetarëve të marrin NOC për udhëtimin jashtë tre qyteteve kryesore jo vetëm që minon lirinë e lëvizjes, por edhe lirinë e shtypit”.

Qeveria thotë se ky nuk është një kufizim i përgjithshëm i lëvizjes së individëve. Udhëzimet gjithashtu specifikojnë se gazetarët mund ta humbin akreditimin për “akte kundër ideologjisë, sovranitetit, sigurisë ose rendit publik të Pakistanit”. Khokhar e përshkruan këtë si “të paqartë” dhe ngre pyetje sesi mund të interpretohet. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

Burimi: Kallxo