Liverpooli vazhdon të ëndërrojë transferimin e Bradley Barcola, por kërkesat marramendëse të Paris Saint-Germainit mund t’i detyrojnë drejtuesit e “The Reds” të ndryshojnë objektiv. Sipas raportimeve, kampionët e Anglisë janë të gatshëm të ofrojnë rreth 100 milionë euro për sulmuesin francez, por PSG nuk ka ndërmend të negociojë për më pak se 162-168 milionë euro.
Kjo diferencë e madhe mes ofertës dhe kërkesës ka vështirësuar ndjeshëm arritjen e një marrëveshjeje. Pavarësisht se Barcola shihet i intriguar nga projekti i Liverpoolit në “Anfield”, klubi anglez po punon paralelisht edhe për një alternativë. Sipas “CaughtOffside”, emri që ka fituar terren është ai i Rayan, talentit 20-vjeçar të Bournemouthit.
Braziliani konsiderohet një profil ideal për stilin e lojës së trajnerit Andoni Iraola, falë shpejtësisë, depërtimeve dhe aftësisë për të luajtur në të dy krahët e sulmit. Madje, raportimet bëjnë me dije se Liverpooli ka arritur një marrëveshje paraprake me lojtarin për kushtet personale, duke e bërë Rayan objektivin kryesor në rast se pista Barcola dështon përfundimisht.
Anësori brazilian la mbresa në pjesën e dytë të sezonit të kaluar në Premier League, ku regjistroi shtatë kontribute në gola në vetëm 15 ndeshje me fanellën e Bournemouthit, duke tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane.
