Lufta kundër kundërshtarëve në kafaz e bëri të njohur, por jeta e luftëtarit brazilian të arteve marciale mikse, Allan Nascimento, u ndërpre papritur në moshën vetëm 34-vjeçare. Lajmin e trishtë e konfirmoi organizata UFC, duke shkaktuar reagime të shumta në botën e MMA-së. Sipas njoftimit zyrtar të UFC-së, Nascimento u gjet pa shenja jete të hënën në mëngjes.
Raportohet se ai dyshohet të ketë pësuar një atak në zemër gjatë gjumit, ndërsa pavarësisht ndërhyrjes së ekipit mjekësor që mbërriti në vendngjarje, sportisti u shpall i vdekur. Në reagimin e saj, UFC shprehu ngushëllimet për familjen, miqtë, bashkëluftëtarët dhe të gjithë të afërmit e brazilianit. Nascimento ishte pjesë e UFC-së që nga viti 2021, ku garonte në kategorinë flyweight.
Ndeshjen e fundit e zhvilloi në qershor, kur u mposht me vendim të ndarë nga Mitch Raposo. Gjatë karrierës së tij në MMA regjistroi 22 fitore dhe 7 humbje, ndërsa në UFC e mbylli aventurën me katër fitore dhe dy humbje.
Braziliani ishte pjesë e ekipit të njohur Chute Boxe, nën drejtimin e trajnerit Diego Lima, ku stërvitej përkrah disa prej emrave më të mëdhenj të këtij sporti, përfshirë ish-kampionin e UFC-së, Charles Oliveira, si dhe Elves Brener. Pas lajmit për ndarjen nga jeta të mikut të tij, Charles Oliveira publikoi një mesazh emocionues në rrjetet sociale. “Sot humba një vëlla që ma dha ky sport.
Faleminderit që ishe gjithmonë pranë meje, që ndamë tapetin dhe këndin e luftës. Kam vetëm mirënjohje që të pata pranë në stërvitje, në ndeshje dhe në jetën e përditshme. Të dua, vëlla. Je një legjendë”, shkroi Oliveira. Edhe Elves Brener i kushtoi disa fjalë prekëse bashkëluftëtarit të ndjerë. “Faleminderit për këtë rrugëtim të mrekullueshëm, vëlla.
Ishe gjithmonë një njeri i jashtëzakonshëm dhe sot është një ditë tepër e trishtuar për të gjithë ne te Chute Boxe. Do të të mbaj gjithmonë në zemër, kampion”, u shpreh ai. Në një deklaratë zyrtare, ekipi Chute Boxe e përshkroi Nascimenton si një luftëtar të përkushtuar, një mik të çmuar dhe një njeri të jashtëzakonshëm.
“Allan frymëzoi brenda dhe jashtë kafazit me vendosmërinë, përulësinë, respektin dhe shpirtin e tij luftarak. Prania jote do të na mungojë pa masë. Pusho në paqe, Allan. Emri, historia dhe trashëgimia jote do të jetojnë përgjithmonë”, thuhet në mesazhin e ekipit.
