Kedhi: Godinat e para janë duke u fundosur, fatura iu mbetet

0%

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, ka akuzuar qeverinë për mënyrën se si është zhvilluar projekti i Portit të Durrësit, duke kërkuar hetim të plotë nga SPAK dhe publikimin e kontratës me investitorin Mohamed Alabbar.

Në një deklaratë për mediat, Kedhi tha se pranimi i vetë investitorit se projekti është ndërtuar “me nxitim” ngre pikëpyetje serioze mbi përgjegjësitë dhe pasojat për shtetin shqiptar. Sipas Kedhit, projekti i Portit të Durrësit u miratua pa tender, pa garë dhe pa dëgjesë publike, ndërsa një aset strategjik kombëtar u vu në funksion të një projekti privat.

Ai ngriti shqetësimin se Shqipëria ka mbetur pa portin e saj kryesor tregtar, ndërsa Porto Romano ende nuk është funksional, duke e cilësuar situatën një rrezik ekonomik dhe për sigurinë kombëtare. Nënkryetari i PD-së deklaroi se qeveria premtoi miliarda euro investime, mijëra vende pune dhe një projekt që “edhe Monako do ta kishte zili”, por sipas tij realiteti është krejt ndryshe.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai pretendoi se godinat e para po shfaqin probleme strukturore dhe se modeli financiar i projektit mbështetet në pagesat e qytetarëve që kanë blerë apartamente ende në ndërtim. Kedhi kërkoi që të bëhet publik i gjithë dokumentacioni i marrëveshjes me grupin Alabbar, përfshirë klauzolat e arbitrazhit, afatet dhe detyrimet e shtetit shqiptar.

Ai i bëri thirrje SPAK-ut të nisë menjëherë hetimet për atë që e cilësoi “aferën më të madhe të këtyre viteve”, duke theksuar se përgjegjësit duhet të japin llogari. Në vijim, Kedhi paraqiti edhe vizionin e Partisë Demokratike për zhvillimin e porteve shqiptare, duke propozuar modelin e “Interportit”, me porte moderne të lidhura me hekurudhë, rrugë dhe korridoret europiane të transportit.

Sipas tij, ky model do të nxisë prodhimin, eksportet, investimet në industri dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Në përfundim, ai deklaroi se për Partinë Demokratike Porti i Durrësit nuk është truall për ndërtime, por një aset strategjik që i përket qytetarëve shqiptarë dhe duhet të vihet në shërbim të ekonomisë kombëtare.

Burimi: Bota Sot