Bernard Hinault, i fundit ndër gjigantët e mëdhenj të çiklizmit përpara epokës së Tadej Pogaçarit, ka shprehur vlerësimin maksimal për kampionin slloven.“A mund t’i fitojë Pogaçari të tre Grand Turet brenda të njëjtit vit? Po. Ai nuk ka kufij. Në garat e mëdha ka kohë të mjaftueshme për rikuperim. Mund të arrijë edhe më shumë se gjashtë fitore në Turin e Francës.
Çiklizmi i tij është poezi, ai argëtohet dhe e do konkurrencën”, deklaron ish-kampioni francez, fitues i pesëfishtë i Turit të Francës. I pyetur se kush është më i miri i të gjitha kohërave, Hinault tregohet i kujdesshëm kur bëhen krahasime historike. “Këto janë krahasime të pamundura. Gjithçka është ndryshe: rrugët, materialet, metodat e stërvitjes, ushqyerja.
Për këtë arsye, më duket absurde të krahasohen edhe kohët e ngjitjeve në male pas disa dekadash. Secili është numri 1… i epokës së tij”, shprehet 71-vjeçari.
