Ish-piloti i Formula 1, Huan Pablo Montoja, ka deklaruar se rikthimi i kampionatit në Malajzi do të favorizojë Maks Vershtapenin, si dhe liderin aktual të kampionatit, Kimi Antonelin. Formula 1 konfirmoi së fundmi se Çmimi i Madh i Bahrejnit, i cili u anulua në prill për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, do të zëvendësohet me pistën e Sepangut në Malajzi, gjatë fundjavës 2-4 tetor.
Duke diskutuar ndryshimin e kalendarit gjatë emisionit pas garës në “F1 TV”, Montoja zbuloi se kjo pistë është një nga të preferuarat e tij, ndërsa theksoi se cirkuiti do t’i përshtatet në mënyrë të përkryer Vershtapenit, i cili fitoi garën e fundit të zhvilluar atje në vitin 2017, si dhe Antonelit. “Është një nga ato pista ku duhet ta ‘luftosh’ makinën.
Mendoj se është një pistë fantastike për një pilot si Vershtapen, i cili pëlqen ta sfidojë makinën dhe ta çojë në limit. Besoj se edhe Antoneli do të ketë sukses atje. Kështu që do të jetë shumë interesante për t’u parë. Gjithashtu, do të jetë shumë nxehtë”, u shpreh Montoja. Çmimi i Madh i Bahrejnit, i cili do të zhvillohet në Malajzi, do të jetë pjesë e një serie prej tri garash radhazi.
Çmimi i Madh i Azerbajxhanit do të zhvillohet më 24-26 shtator, i Bahrejnit më 2-4 tetor, ndërsa Çmimi i Madh i Singaporit më 9-11 tetor.
