Kuçi: Serbia kërkon të kaluarën ta varrosë, ndërsa flet për një luftë

0%

Politologu Gurakuq Kuçi ka reaguar pas zhvillimeve të fundit, duke thënë se kjo javë pasqyron qartë kontrastin mes viktimës dhe agresorit.

Ai kujton se në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut po zhvillohen gërmime në një lokacion ku dyshohet se ndodhet një varrezë masive me mbetjet mortore të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës, ndërsa familjet e tyre vazhdojnë të presin drejtësi edhe pas 27 vitesh.

Sipas tij, në të njëjtën kohë presidenti serb Aleksandar Vuçiq po përdor retorikë kërcënuese, duke deklaruar se Serbia ka arsye për të hyrë në luftë dhe duke promovuar fuqinë ushtarake të vendit. Kuçi vlerëson se një qasje e tillë nuk duhet të normalizohet, sidomos në një kohë tensionesh ndërkombëtare, pasi mund të inkurajojë synime politike ndaj Kosovës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai thekson se paqja mund të ndërtohet vetëm përmes zbardhjes së krimeve, gjetjes së të zhdukurve dhe vendosjes së drejtësisë për viktimat. Postimi i plotë: Politologu Gurakuq Kuçi Ndërsa ende kërkohen viktimat e krimeve të Serbisë, Vuçiq kërcënon Kosovën me një luftë të re. Kjo javë e tregon në mënyrën më të qartë kontrastin mes viktimës dhe agresorit.

Në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut po zhvillohen gërmime në një lokacion ku dyshohet se ndodhet një varrezë masive me mbetjet mortore të shumë intelektualëve shqiptarë. Janë arrestuar dy persona të dyshuar për krime lufte, ndërsa ekziston dyshimi se mbetjet mortore mund të lidhen me 23 shqiptarët e rrëmbyer dhe të zhdukur në prill të vitit 1999.

Pas më shumë se 27 vitesh, familjet e tyre ende presin drejtësi dhe identifikimin e më të dashurve të tyre. Në të njëjtën kohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaron se Serbia “ka çdo arsye për të hyrë në luftë”, ndërsa krenohet me armatimin dhe kapacitetet ushtarake të vendit të tij. Ky është paradoksi që nuk duhet normalizuar.

Ndërsa viktimat e gjenocidit dhe krimeve të luftës së Serbisë vazhdojnë të kërkohen në varreza të dyshuara, udhëheqësi i të njëjtit shtet kërcënon me luftë dhe përpiqet ta paraqesë atë si një opsion të justifikueshëm.

Në një kohë kur paqja në Lindjen e Mesme po përballet me sfida serioze dhe lufta mes Ukrainës dhe Rusisë vazhdon pa një zgjidhje në horizont, Vuçiqi dhe Serbia po përdorin retorikën e luftës, duke lënë të kuptohet se zhvillimet globale mund të krijojnë një mjedis më të favorshëm për realizimin e objektivave të tyre politike ndaj Kosovës, në përputhje me logjikën e iniciativës për multipolarizimin e botës.

Paqja nuk mbrohet duke kërcënuar me luftë. Ajo mbrohet duke u përballur me të kaluarën, duke zbardhur krimet, duke gjetur të zhdukurit dhe duke vendosur drejtësi për viktimat. Kush pret të arrihet kjo nëpërmjet stabiliokracisë dhe politikës së paqëtimit, realisht është duke i dhënë jetë një eskalimi të gjendjes aktuale.

Burimi: Bota Sot