Ariana Grande ka nisur një betejë ligjore kundër hakerëve të paidentifikuar, duke i akuzuar ata për vjedhjen dhe shpërndarjen e materialeve të saj private, përfshirë muzikë, video dhe fotografi të papublikuara.
Këngëtarja 33-vjeçare paraqiti një padi në një gjykatë në Kaliforni, ku pretendon se persona të paidentifikuar kanë hyrë në pajisjet elektronike të bashkëpunëtorëve të saj dhe kanë marrë materiale krijuese që më pas janë shitur në mënyrë të paligjshme.
Sipas dokumenteve ligjore, të cilat janë bërë publike, hakerët dyshohet se kanë synuar llogari të producentëve, fotografëve dhe profesionistëve të tjerë me të cilët Grande ka punuar ndër vite, shkruan DailyMail.
Në padi thuhet se materiali i vjedhur përfshinte përmbajtje që nuk ishte menduar kurrë për publikun, ndërsa ekipi ligjor i artistes pretendon se hakerët kanë përfituar “shuma të konsiderueshme parash” duke shitur të dhënat dhe materialet në internet.
Grande gjithashtu ka deklaruar se rreth 45 këngë të saj të papublikuara janë publikuar pa autorizim në vitin 2023, duke shtuar se rrjedhje të ngjashme kanë ndodhur vazhdimisht që prej fillimit të karrierës së saj muzikore në vitin 2011.
Avokatët e këngëtares së hitit “Thank U, Next” kërkojnë që përmes procesit gjyqësor të zbulojnë identitetin e personave përgjegjës, duke kërkuar të marrin të dhëna nga kompani teknologjie dhe ofrues interneti. Sipas një burimi pranë artistes, padia synon jo vetëm mbrojtjen e Grandes, por edhe krijimin e një mesazhi kundër vjedhjes së punës së artistëve dhe shkeljes së privatësisë së tyre.
