Një tërmet me magnitudë 7.1 goditi këtë të martë prefekturën Kumamoto, në ishullin Kyushu të Japonisë, duke lënë pas të plagosur, persona të zhdukur dhe dëme të konsiderueshme në infrastrukturë. Sipas autoriteteve japoneze, më shumë se 100 persona janë lënduar, ndërsa 20 deri në 30 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas shembjes së pjesshme të qendrës tregtare “Aeon”.
Deri tani, ekipet e emergjencës kanë arritur të nxjerrin të gjallë katër persona nga rrënojat, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë pa ndërprerje. Përballë situatës, kryeministrja Sanae Takaichi ka ngritur një task-forcë emergjente dhe ka urdhëruar dislokimin e rreth 3.600 ushtarëve në zonat më të prekura.
“Prioriteti ynë është shpëtimi i jetëve njerëzore”, deklaroi ajo, duke bërë të ditur se tërmeti ka shkaktuar shembje ndërtesash, dëmtime në rrugë dhe ura, ndërprerje të energjisë elektrike, si edhe disa vatra zjarri. Lëkundjet kanë sjellë probleme të mëdha edhe në transport.
Aeroporti i Kumamotos ka pezulluar përkohësisht fluturimet, një tren mallrash ka dalë nga shinat, ndërsa disa segmente autostradash dhe linjash hekurudhore janë mbyllur për arsye sigurie. Gjithashtu, rreth 48 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike. Agjencia Meteorologjike e Japonisë lëshoi fillimisht një paralajmërim për cunami, por ai u hoq pas vlerësimeve të mëtejshme.
Megjithatë, autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë vigjilentë, pasi ekziston rreziku i pasgoditjeve të forta në ditët në vijim. Mediat ndërkombëtare raportojnë se rreth 300 mijë banorëve u është rekomanduar të evakuohen si masë parandaluese. Ndërkohë, autoritetet japoneze kanë bërë të ditur se nuk janë konstatuar probleme në centralet bërthamore të rajonit.
Japonia është një nga vendet me aktivitetin më të lartë sizmik në botë, pasi ndodhet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit” e Paqësorit, ku përplasen disa pllaka tektonike. Për këtë arsye, vendi përballet shpesh me tërmete të forta dhe ka ndërtuar një nga sistemet më të avancuara në botë për paralajmërimin dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore.
