Edhe pak ditë kanë mbetur deri në mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të ri të Kosovës, ndërsa të hënën ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka folur për takimet që kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pasur me krerët e PDK-së dhe të LDK-së.
Ai ka thënë se pas takimit që Kurti e pati me kreun e PDK-së, Bedri Hamzën, u pa që kjo parti qëndron më shumë në pozicionet që janë parë më moti, e sipas tij, ato pozicione janë të vjetra. Ndërsa, për takimin me LDK-në, Konjufca tha se përshtypja e tyre është që kësaj radhe ka vullnet më të madh për ta tejkaluar këtë moment në të cilin ndodhet Kosova.
“Sa i përket takimeve që ndodhën me PDK-në dhe LDK-në, u pa një gjë e qartë aty se PDK-ja më shumë qëndron në pozicionet që i kemi parë më moti. Ato janë pozicione të vjetra që i kemi parë dhe ato u shprehen edhe në takim me Kurtin.
Kurse, sa i përket LDK-së, përshtypja jonë është që aty përkundër herave të kaluara, kësaj radhe ka vullnet më të madh për ta tejkaluar këtë moment në të cilin ndodhet Kosova. Ka një gatishmëri më të lartë për bashkëpunim nga LDK-ja, e unë mendoj që opsionet që dalin në tavolinë për arritjen e një marrëveshjeje janë në përpjesëtim me vullnetin.
Sa më i madh vullneti politik, sa më shumë ke gatishmëri për të bashkëpunuar, edhe më shumë rritet numri i opsioneve për të gjetur zgjidhje për përgjegjësi të ndryshme se si do të ndahen ato. Kurse, atë që e kemi parë, sidomos prej zgjedhjeve të dhjetorit, ka pas qenë një bllokadë totale”, ka thënë Konjufca.
Ai nuk ka dashur të komentojë zhvillimet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, por ka shtuar se ka pasur natyrë tjetër diskutimi pas takimit të Kurtit me Osmanin dhe Abdixhikun “Natyrisht, LDK-ja e ka krejt autonominë e vet për të vendosur për gjërat e saj të brendshme.
Ne nuk jemi këtu as për t’i komentuar ato, as për të këshilluar gjë, sepse LDK-ja është një parti që ekziston moti në Kosovë dhe besoj që ata dinë t’i rregullojnë punët e veta.
Por, sa i përket bashkëpunimit me ne, mua më është dukur se pas takimit të Kurtit me Osmanin e Abdixhikun, m’u ka duk që kësaj radhe ka pasur një tjetër natyrë diskutimi dhe kjo na ka bërë më optimist se një zgjidhje mund të gjendet së shpejti”, u shpreh Konjufca.
Konjufca foli edhe për qëndrimin e AAK-së, duke thënë se pavarësisht që nuk pranuan të shkojnë në takim me Kurtin, ata i dhanë arsyet se në çfarë kushte do të pranonin të bashkëpunonin. Optimizmi për tejkalimin e ngërçit Analisti Skënder Zogaj, kërkon kthjellim të logjikës së udhëheqësve politikë.
Sipas tij, Kosovës i duhet institucionet dhe përgjegjës në rast të vazhdimit të ngërçit janë të gjithë. Skënder Zogaj “Pavarësisht nga të gjitha kalkulimet e shumta të partive politike, logjika elementare atdhetare e udhëheqjeve politike dhe shtetërore do të duhej të kthjellohej dhe, më në fund, ta kuptonte se Kosovës i duhen institucionet dhe se të gjithë do të jenë përgjegjës nëse vazhdon ngërçi institucional.
Kjo përgjegjësi tashmë rëndohet edhe më shumë dhe po shndërrohet në një gijotinë politike e kombëtare, sepse klasa politike nuk guxon ta vërë në pikëpyetje, e aq më pak ta sakrifikojë çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kosova ndodhet në një krizë të thellë, është në buzë të greminës dhe gabimi më i vogël mund të sjellë pasoja të mëdha” , thotë Zogaj për “Bota sot”.
Deklaratën e Konjufcës, Zogaj, e quan sinjal inkurajues, gjersa shton se nuk ka rëndësi kush dhe kë propozon. Sipas tij, thelbësore është të përmbyllet sa më parë ndërtimi i institucioneve shtetërore dhe shteti të funksionojë normalisht.
“Deklarata optimiste e Glauk Konjufcës për takimet e Albin Kurtit me Lumir Abdixhikun dhe Bedri Hamzën është një sinjal inkurajues, sepse ngërçi duhet të tejkalohet pa asnjë hezitim, me angazhimin e të gjithë atyre që mund të ndikojnë pozitivisht. Mendoj se nuk ka shumë rëndësi kush propozon dhe kë propozon.
Thelbësore është të përmbyllet sa më parë ndërtimi i institucioneve shtetërore dhe shteti të funksionojë normalisht. Duhet të arsyetohet sakrifica e popullit dhe investimi i jashtëzakonshëm i bashkësisë ndërkombëtare për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Duhet të kuptohet se vazhdimi i ngërçit institucional është një akt i turpshëm, antikosovar dhe antikombëtar” , shprehet analisti.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka treguar se Albulena Haxhiu pritet të jetë sërish kandidate për kryetare të Kuvendit të Kosovës. Derisa ka thënë se kjo çështje nuk është biseduar në Lëvizjen Vetëvendose, ai ka paralajmëruar se në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së kësaj partie do të vendoset gjithçka.
“Unë mendoj që kryetaren e Kuvendit tashmë e kemi vendosur, ajo është zonja Haxhiu. Dhe ma merr mendja që do jetë propozimi i njëjtë” – theksoi Konjufca para mediave. ‘Problemi qëndron te zgjedhja e presidentit/es’ Ndërsa, analisti Gani Qarri, hedh kritika ndaj LDK-së, duke thënë se ata për ta pamundësuar konsensusin nxituan dhe zgjodhën qëllimisht momentin vendimtar ta pengojnë formulën konstruktive të Kurtit me Abdixhikun.
Gani Qarri “Problemet brenda LDK-s, të cilat u shfaqën me kaq shpejtësi të pa imagjinueshme, vetëm pak muaj pas vendimit që z.
Abdixhiku të vazhdojë në krye të LDK-së, dhe pikërisht në momentin kur kryetari aktual Lumir Abdixhiku dha sinjal se janë në rrugë të mirë me Kryeministrin Albin Kurti, për arritjen e kompromisit të nevojshëm për tejkalimin e ngërçit dhe zgjedhjen e presidentit/es konsensual, na bëjnë edhe njëherë më tepër të qartë, se LDK e dr.
Ibrahim Rugovës është vërshuar nga individ dhe grupe të pasionuara destruktive, të cilat duan gjithsesi t`ia humbin kuptimin kësaj partie të mirënjohur institucionale dhe shtetformuese, edhe me çmimin e ndarjes së LDK-së.
Andaj për ta pamundësuar konsensusin duket se nxituan dhe zgjodhën qëllimisht mu këtë moment vendimtar, që me çdo kusht, ta pengojnë formulën konstruktive të emërimit të të parit të shtetit, lënien prapa të ngërçeve e bllokadave politike dhe hapjen e rrugës për krijimin e institucioneve të qëndrueshme shtetërore në Republikën e Kosovës, akt mjaft konspirativ, i cili realisht ka rrezik të kthehet në kërcënim serioz për tërë vendin”, shprehet Qarri për “Bota sot”.
Ai LDK e sheh me vullnet për tejkalimin e ngërçit, gjersa hedh pikëpyetje rreth ‘grupit enigmatikë” të kësaj partie. “Kjo për vet faktin se edhe pas takimeve të Albin Kurtit me Bedri Hamzën, megjithëse PDK dëshmoi se mbetet e ngurtësuar në qëndrimet e saj, Lumir Abdixhiku sinjalizoi lëvizje të mundshme pozitive për zhbllokimin e situatës politike dhe siç e dëshmoi edhe vet z.
Konjufca, LDK kësaj radhe ka shfaqur më shumë vullnet për tejkalimin e ngërçit, kështu që duke njohur qëndrimin konstruktiv dhe seriozitetin e z. Konjufca e besojë edhe vlerësimin pozitiv që ai dha, për çështjen në fjalë, para mediave.
Prandaj për fat të keq, mbetet shumë enigmatike se pse ky grupim konspirativ brenda për brenda LDK-së, ngriti krye pikërisht tani, në emër të “pakënaqësive” të brendshme, të cilat nuk janë të reja as të sotme dhe po përpiqet pikërisht në këtë moment vendimtar për tejkalimin e ngërçit në Kosovë, ta zhbëj çdo mundësi për marrëveshje dhe çojë drejt dështimit konsensusin e shumëpritur, edhe me këtë rast dhe shansë ideale”, thekson analisti.
Haxhiu sipas Qarrit nuk do ta ketë problem për votat, por sipas tij, problem vijon të mbetet zgjedhja e presidentit/es. “Sa i takon zonjës Albulena Haxhiut ushtruesja aktuale e detyrës së presidentes dhe kryetare e Parlamentit, ashtu siç ka konfirmuar edhe vet Vetëvendosje ajo do të jetë sërish kandidate dhe pritet të votohet përsëri për kryetare të Kuvendit, një strategji kjo që duke konstituuar Kuvendin e legjislaturës së 7 qershorit dhe Qeverinë e re, do ta zhbllokojë edhe procesin, në afatin e paraparë ligjor e kushtetues dhe ndikojë në tejkalimin e krizës aktuale, kur dihet se votat për Kryekuvendaren/in dhe Qeverinë e re LVV i ka të siguruara, ndaj problem më vete, vijon të mbetet vetëm zgjedhja e Presidentit/es ngase kërkohet prania e dy-të tretës së deputetëve në Kuvend edhe nëse ata nuk votojnë të gjithë, përderisa herën e tretë, mjafton të votojë shumica e thjeshtë, pasi që sipas rregullores në votimin e tretë edhe me 61 vota mund të zgjidhet presidenti i vendit”, shprehet Qarri.
Në fund, ai këtë herë sheh më tepër shpresë për zhbllokimin e ngërçit, gjersa përmend edhe skenar të mundshëm nëse nuk zhbllokohet.
“Shpresat për tejkalimin e ngërçit dhe zgjedhjen e presidentit kësaj radhe nuk janë shuar dhe vijojnë të mbeten më të dukshme për faktin se edhe partitë opozitare, pas dështimeve të pësuara në zgjedhjet e kaluara, shihet qartë se nuk janë të interesuara për shkuarje, serish në zgjedhje të parakohshme, gjë që në gjendjen aktuale, veçanërisht për LDK-në, me kaq shumë probleme të grumbulluara dhe kontradiktat e papajtueshmëritë e theksuara brenda saj, do të ishin vërtetë katastrofale dhe lëshonin këtë parti edhe më poshtë në ranglistën e segmenteve politike.
Për ndryshim nga herët e kaluara, AAK përmes përfaqësuesit të saj, ka deklaruar se kësaj radhe është e gatshme ta votojë edhe z. Glauk Konjufca për president, në marrëveshje me LVV-në për plotësimin e disa kushteve të parashtruara paraprakisht prej saj, ku besojë se ka dhe duhet të gjendet hapësirë e mundësi për arritjen e një kompromis të mundshëm.
Ndryshe nëse serish ndodhë, që edhe në ditët e mbetura të mos arrihet konsensus, skenari më i mundshëm politikë për daljen nga ngërçi institucional, mbetet pjesëmarrja e deputetëve të opozitës në seancat e Kuvendit dhe qëndrimi në sallë deri në fund të seancës, të cilët edhe nëse nuk marrin pjesë në votim, do ta siguronin kuorumin e nevojshëm dhe mundësonin Kosovës zgjidhjen e Presidentit/es së vendit, qoftë edhe në raundin e tretë, me 61-63 votat që kanë në dispozicion LVV dhe partnerët e koalicionit me pakicat jo serbe, në mënyrë që përfundimisht të tejkalohet ngërçi i stërzgjatur politik, i cili tanimë po shkon edhe drejt fundit të vitit të dytë, gjë që po e paraqet politikën vendore para faktorit ndërkombëtar si shumë problematike dhe aspak serioze, ndërsa Kosovën si shtet jo-stabil dhe dele të “zezë” në Ballkan dhe këtë pjesë të Evropës, para të cilës ndodhen shumë obligime që nga marrëveshjet ndërkombëtare e miratimi i ligjeve të nevojshme, deri te plotësimi i kushteve për rrugëtim të sigurt drejt BE-së dhe integrimet euroatlantike”, përfundon Qarri.
