Shpërndaje në: Fëmijët e shurdhër dhe ata me dëmtime në dëgjim në Kosovë vazhdojnë të përballen me pengesa serioze në realizimin e së drejtës për arsim cilësor, pavarësisht garancive kushtetuese dhe ligjore, ka thënë Avokati i Popullit në një raport të premten. Raporti trajton çështjen e arsimimit cilësor dhe përdorimit të gjuhës së shenjave për personat e shurdhër në Kosovë.
Sipas Avokatit të Popullit, hetimi është iniciuar pas shqetësimeve të ngritura nga individë dhe organizata të shoqërisë civile se një numër i konsiderueshëm i personave të shurdhër, ndonëse përfundojnë arsimin e mesëm me nota të larta, nuk arrijnë t’i zotërojnë shkathtësitë bazë të shkrim-leximit.
Në kuadër të hetimit, Avokati i Popullit ka vlerësuar nëse sistemi arsimor garanton të drejtën për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
“Për këtë qëllim, është zhvilluar komunikim me Qendrën Burimore “Nënë Tereza” në Prizren dhe janë kërkuar informacione nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit lidhur me kurrikulat, përgatitjen profesionale të mësimdhënësve, përdorimin e gjuhës së shenjave dhe masat për ofrimin e arsimit cilësor”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.
Raporti vlerëson se mungesa e personelit të specializuar, e mësimdhënësve të trajnuar në gjuhën e shenjave, e interpretëve, e materialeve të përshtatshme mësimore dhe e mekanizmave efektivë për vlerësimin e njohurive cenon cilësinë e arsimit dhe rrit rrezikun e diskriminimit, duke kufizuar mundësitë për zhvillim dhe pjesëmarrje të barabartë në shoqëri.
Edhe Arbëri 7 muaj më parë Para personave me aftësi të kufizuara nuk denoncohen vonesat në shpërndarjen e pajisjeve ndihmëse Avokati i Popullit thekson se shteti ka detyrim të garantojë arsim cilësor, efektiv dhe të barabartë për çdo fëmijë, pa diskriminim, duke siguruar qasje të plotë në arsim dhe mundësi të barabarta për zhvillim e integrim.
Për këtë arsye, Ministrisë së Arsimit i është rekomanduar të zbatojë në mënyrë efektive dispozitat ligjore për arsimin gjithëpërfshirës, të angazhojë staf të specializuar shumëdisiplinar në Qendrën Burimore “Nënë Tereza”, të sigurojë trajnime të vazhdueshme për mësimdhënësit, instruktorët dhe interpretët e gjuhës së shenjave, si dhe të zhvillojë inspektime të rregullta për monitorimin e cilësisë së arsimit për nxënësit me dëmtime në dëgjim.
