Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ka intensifikuar kontrollet ndaj njehsorëve elektrikë në të gjithë territorin e Kosovës, me qëllim garantimin e saktësisë së matjes së konsumit të energjisë elektrike dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Sipas njoftimit të MINTI-t, gjatë inspektimeve të fundit janë identifikuar 13 njehsorë elektrikë në përdorim, të cilëve u kishte skaduar afati i verifikimit metrologjik. Për këtë shkelje, operatori për shpërndarjen e energjisë elektrike, KEDS, është ndëshkuar me 13 gjoba administrative, në vlerë të përgjithshme prej 65 mijë eurosh.
Autoritetet theksojnë se mbikëqyrja e tregut do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, në funksion të sigurimit të matjeve të sakta të konsumit të energjisë, respektimit të legjislacionit në fuqi dhe standardeve metrologjike.
Sipas MINTI-t, ky veprim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për forcimin e mekanizmave të kontrollit në sektorin e matjes së energjisë elektrike dhe rritjen e përgjegjshmërisë së operatorëve për zbatimin e detyrimeve ligjore.
Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast se posedojnë dëshmi ose kanë dyshime për funksionimin e njehsorëve elektrikë, t’i raportojnë rastet përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në aplikacionin Viber ose në adresën elektronike [email protected] .
