Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka bërë të ditur se pas miratimit të nismës nga Qeveria për lidhjen e marrëveshjes me Bashkimin Europian për përfshirjen e Kosovës në zonën “EU Roam Like at Home”, tashmë do të formohet ekipi negociator që do të zhvillojë bisedimet me BE-në.
Në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, më , i pyetur se a e pengon procesin kriza institucionale në Kosovë, Jagxhiu tha se procesi nuk varet nga konstituimi i Kuvendit meqenëse me arritjen e marrëveshjes ratifikimi bëhet nga presidentja.
Jagxhiu tha se vendimi i miratuar nga Qeveria hap rrugën për zhvillimin e negociatave me Bashkimin Europian pas vendimit të muajit të kaluar të Këshillit të BE-së për autorizimin e hapjes së negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor për integrimin në zonën “EU Roam Like at Home”.
“Tash në bazë të këtij vendimi të Qeverisë ne po e formojmë ekipin negociator, i cili do të negociojë me BE-në dhe në momentin që arrihet marrëveshja dhe bëhet nënshkrimi me pëlqimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe pastaj ratifikohet nga presidenti.
Meqenëse nuk kërkohet që ndonjë proces të kryhet nga Kuvendi, nuk ka ndonjë pengesë që ne komplet këtë cikël të realizimit ta bëjmë pavarësisht çështjes së konstituimit të Kuvendit”- tha ai në një përgjigje për KALLXO.com gjatë kësaj konference.
I pyetur për ndryshimet që duhet t’i bëjë Kosova në infrastrukturën ligjore, ai një nga kushtet kryesore për zbatimin e marrëveshjes është miratimi i Ligjit të ri për komunikimet elektronike i cili lidhet edhe me procese të tjera që lidhen me digjitalizim. “Një prej ndryshimeve kyçe është aprovimi i Ligjit të ri për komunikime elektronike.
Ne kemi nevojë që ta aprovojmë këtë ligj jo veç për këtë nismë, por edhe për çështje të tjera që lidhen me reformën e agjendave. Ligji veçse është draftuar dhe së shpejti do të dalë në konsultim publik me idenë që deri në fund të këtij viti ta kemi të aprovuar dhe të koincidojë me përfundimin e negociatave që do t’i adresojë një pjesë të kërkesave që dalin prej këtij procesi”- tha Jagxhiu.
Ai shtoi se po përgatiten edhe aktet nënligjore të nevojshme që do të hartohen nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). “Janë edhe disa akte nënligjore. Një kyç është që duhet me u miratu prej ARKEP-it, i cili veçse ka fillu hartimin e aktit nënligjor.
Disa kushte do të dalin edhe prej vetë negociatave, mirëpo ne po bëjmë të gjitha që, në momentin që të përfundojnë negociatat dhe të arrihet marrëveshja, periudha e implementimit të jetë sa më e shkurtër e mundshme”- deklaroi ai.
Sipas tij, marrëveshja do të mundësojë që qytetarët e Kosovës të përdorin shërbimet e telefonisë mobile në vendet e BE-së pa tarifa shtesë roaming-u, ndërsa përfitime do të kenë edhe bizneset dhe diaspora.
Ministri bëri të ditur se projektligji i ri për komunikimet elektronike tashmë është hartuar dhe së shpejti do t’i nënshtrohet konsultimit publik, ndërsa ARKEP-i ka nisur përgatitjen e legjislacionit sekondar për zbatimin e plotë të kësaj kornize.
Jagxhiu foli edhe për vendimin e dytë të miratuar nga Qeveria që ka të bëjë me miratimin e kornizës për ngritjen e kapaciteteve digjitale në administratën publike.
Ai tha se korniza synon të krijojë një model të unifikuar për zhvillimin e aftësive digjitale në administratë, duke mundësuar identifikimin më sistematik të nevojave për kapacitete, planifikimin e zhvillimit profesional sipas roleve dhe përgjegjësive, si dhe një orientim të përbashkët institucional për zhvillimin e stafit.
Sipas tij, kjo kornizë synon që transformimi digjital të kuptohet si ndryshim institucional dhe profesional, e jo vetëm si investim në teknologji dhe sisteme, duke forcuar kulturën e shërbimit ndaj qytetarëve, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe përdorimin e sigurt të teknologjisë.
“Roam Like at Home” (Pa tarifa shtesë) zbatohet në shtetet anëtare të BE-së dhe në vendet e Zonës Ekonomike Europiane. Në janar të këtij viti, rregullorja është zgjeruar edhe për Ukrainën dhe Moldavinë, edhe pse këto vende nuk janë anëtare të BE-së. Zyrtarët europianë presin që negociatat të përfundojnë deri në fund të këtij viti.
Në një skenar ideal, roaming-u midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së mund të hiqet që vitin e ardhshëm. Megjithatë, zyrtarët europianë theksojnë se gjithçka varet nga gatishmëria e vendeve të rajonit për të përparuar në këto negociata. “Roam Like at Home” përfaqëson një nga politikat më të suksesshme të Bashkimit Europian të dedikuara qytetarëve të tij.
Ai është në fuqi që nga viti 2017. Bëhet fjalë për një rregullore të Komisionit Europian që mundëson përdorimin e telefonave celularë në shtetet e tjera anëtare me të njëjtat çmime si në vendin e origjinës. Kjo do të thotë se gjatë përdorimit të telefonit celular në zonën e BE-së nuk ka kosto shtesë për thirrje, SMS dhe përdorimin e internetit, por aplikohen tarifat e vendit të origjinës.
I njëjti rregull vlen edhe për thirrjet dhe mesazhet që përdoruesit i marrin gjatë qëndrimit jashtë vendit.
