Shkëndija e Tetovës do të duhet të përmbysë disavantazhin në ndeshjen e kthimit në Shkup ndaj ekipit slloven Bravo, pasi sonte në Lubjanë skuadra kuqezi u mposht me rezultatin 2:1.
Edhe pse kaluan të parët në epërsi, djelmoshat e trajnerit Artim Pollozhani u detyruan të pranojnë humbjen, pavarësisht se patën raste të mira për të marrë të paktën një barazim dhe një rezultat më të favorshëm para ndeshjes së dytë në Arenën Kombëtare “Todor Proeski”. Shkëndija e nisi mirë ndeshjen në Lubjanë.
Që në minutën e 10-të u akordua një penallti për ekipin tetovar, të cilën e realizoi Endrit Krasniqi. Futbollisti nga Kosova goditi saktë dhe e dërgoi topin në rrjetën e vendasve, duke i dhënë epërsinë Shkëndijës. Megjithatë, gëzimi zgjati vetëm tetë minuta, pasi Kopatin arriti të barazojë për vendasit.
Shkëndija pati disa mundësi për të kaluar sërish në epërsi, ndërsa rasti më i mirë ishte në fund të pjesës së parë, kur Ndzenge gjuajti, por Rozhman priti goditjen. Në pjesën e dytë, Bravo mori iniciativën dhe arriti të shënojë gol pas një pakujdesie në mbrojtjen e skuadrës tetovare.
Stankoviq e mori topin rreth 40 metra larg portës, depërtoi deri në rreth 20 metra dhe lëshoi një goditje të saktë që përfundoi në rrjetën e Amzait pikërisht në minutën e 56-të. Spahiu pati një mundësi të mirë për të barazuar, por goditja e tij u ndal nga Rozhman. Më pas, edhe Zejnullai pati një rast të mirë, por tentativa e tij u bllokua në momentin e fundit.
