Dinamo zbret sot në fushë për sfidën e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku do të përballet në transfertë me skuadrën sllovene Aluminij. Ndeshja do të nisë në orën dhe trajneri Ilir Daja ka vendosur formacionin me të cilin do të kërkojë një rezultat pozitiv.
Në krahasim me përballjen e fundit ndaj Astanës, tekniku kryeqytetas ka bërë disa ndryshime në 11-shen titullare. Risia kryesore është aktivizimi i Ruçit, i cili merr vendin e Malomos në formacionin bazë. Megjithatë, skema taktike mbetet e pandryshuar. Dinamo do të luajë me sistemin 3-5-2, një formacion që do të përdoret edhe nga skuadra vendase e Aluminij.
Skuadra shqiptare shihet si favorite për të kaluar më tej në këtë duel, duke pasur më shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë, Aluminij vjen në këtë përballje pasi e mbylli sezonin e fundit në vendin e shtatë në kampionatin slloven me 10 skuadra, por siguroi pjesëmarrjen në Europë falë triumfit në Kupën e Sllovenisë.
Dinamo synon të hedhë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit që në ndeshjen e parë, përpara sfidës së kthimit që do të zhvillohet në Tiranë.
