Në Gjykatën e Prizrenit në seancën e gjykimit të Islam Thaqit, Jetmire Vrenezit, Egzona Morina-Thaqit, Arian Tarakut, Isë Bislimajt dhe Shqipron Krasniqit, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në rastin “ABI Çarshia” më ka dhënë dëshminë dëshmitari Fatmir Memaj.
Kujtojmë se Gjykata e Prizrenit më kishte shpallur fajtorë ish-deputeten e Vetëvendosjes, Jetmire Vrenezin, dhe ish-kryeinspektorin Islam Thaqi, duke i dënuar secilin me nga tre vjet burgim dhe nga 2 mijë euro gjobë. Ndërkaq, Egzona Morina-Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipron Krasniqi ishin liruar nga akuza për korrupsion.
Megjithatë, pas ankesave të palëve, Gjykata e Apelit më e kishte prishur këtë aktgjykim dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim.
Dëshmitari Fatmir Memaj deklaroi se gjatë kohës sa ishte drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prizrenit nuk kishte bërë asnjë thirrje publike për legalizimin e objekteve pa leje dhe se asnjë lëndë e legalizimit nuk ishte përfunduar për shkak të mungesës së kushteve teknike dhe burimeve njerëzore.
Memaj, i cili u dëgjua me propozimin e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, Taulant Hodaj, tha se kërkesat për legalizim pranoheshin dhe protokolloheshin në sportelet e Komunës, ndërsa më pas u shpërndaheshin drejtorive përkatëse.
Gjatë pyetjeve të avokatit të palës së dëmtuar, Hodaj, dëshmitari konfirmoi se dokumentet e prezantuara në Gjykatë mbanin të njëjtin numër protokolli dhe se komunikimi administrativ kishte vazhduar me të njëjtin numër.
Ai deklaroi se nuk i kujtohej dokumentacioni shoqërues i kërkesës për legalizimin e kompleksit “ABI Çarshia”, duke shtuar se Drejtoria që ai udhëhiqte nuk kishte arritur të trajtonte asnjë kërkesë për legalizim. “Gjatë mandatit tim asnjë lëndë nuk është kryer që ka të bëjë me legalizimin e objekteve” – tha Memaj.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të kryetares së trupit gjykues, Teuta Krusha, dëshmitari deklaroi se deri në kohën kur ai ishte drejtor nuk ishte bërë thirrje publike nga Komuna e Prizrenit për aplikim për procesin e legalizimit. Sipas tij, megjithëse Ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje ishte në fuqi, Komuna nuk kishte krijuar kushtet e nevojshme për zbatim.
“Deri sa unë kam qenë në këtë dikaster ka pasur të deponuara shumë kërkesa të tilla për legalizim objektesh, mirëpo me asnjërën nuk jemi marrë pasi nuk kemi pasur kushte teknike dhe resurse njerëzore” – deklaroi Memaj.
Tutje, gjatë pyetjeve të trupit gjykues, kryetarja Krusha kërkoi sqarime pse në njoftimin e Komunës së Prizrenit të datës ishte theksuar se aplikimi për legalizim mund të fillonte pas hapjes së thirrjes publike nga Komuna, me ç’rast dëshmitari Memaj tha se njoftimi kishte për qëllim ta informonte parashtruesin e kërkesës, në këtë rast për legalizimin e kompleksit “ABI Çarshia”, lidhur me procedurën e aplikimit.
“Në këtë njoftim ne e kemi njoftuar parashtruesin e kërkesës, në rastin konkret për legalizimin e kompleksit ‘ABI Çarshia’, me ç’rast edhe jemi drejtuar se aplikimi ‘mund të fillojë pas hapjes së thirrjes’” – tha Memaj.
Kurse në fund të seancës përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Taulant Hoda, propozoi që të dëgjohej si dëshmitar V.I., i cili kishte përcjellë dokumentacionin në Gjykatë, për të sqaruar mospërputhjet lidhur me ekzistimin e dosjes së legalizimit në Komunë.
Propozimi u kundërshtua nga të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve, të cilët argumentuan se V.I. nuk kishte qenë pjesë e ngjarjeve të vitit 2019 dhe se dëshmia e tij nuk do të sillte rrethana të reja për çështjen. Pas shqyrtimit të qëndrimeve të palëve, trupi gjykues e refuzoi propozimin për dëgjimin e V.I. si dëshmitar.
Sipas Prokurorisë, Islam Thaqi në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Vrenezi dhe Egzona Morina-Thaqi inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipron Krasniqi përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar kanë mundësuar kundërligjshëm realizmin e rrënimit të aneks-objektit “Abi Çarshia” në Prizren.
Aktakuza më tej sqaron se rrënimi kishte ndodhur duke e pasur të ditur faktin se i dëmtuari Irfan Fusha veçse e kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim të aneksit.
Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, Udhëzimin Administrativ nr.06/19, Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr.
A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.
Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “ABI Çarshia” me rrënimin e aneksit në fjalë konsiderohet 69 mijë e 729 euro. Me këto veprime, të akuzuarit e lartcekur ngarkohen se kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
