Një rast i rëndë i dhunës në familje është denoncuar në Pejë, ku një 19-vjeçare dyshohet se u rrah brutalisht nga bashkëshorti i saj dhe u kërcënua me vrasjen e familjarëve, raporton Sinjali. Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është B.Q , ndërsa viktimë E. P. rreth 19-vjeçare.
Sipas burimeve të Sinjalit , viktima është paraqitur në Stacionin Policor në Pejë dhe ka deklaruar se më 14 korrik, rreth orës , në banesën e tyre në rrugën “Mustafë Hasangjekaj” në Vitomiricë, bashkëshorti i saj fillimisht e kishte goditur me shuplakë, e më pas edhe me shkop druri, duke i shkaktuar lëndime të dukshme trupore.
Përveç dhunës fizike, ajo ka deklaruar se i dyshuari e kishte kanosur vazhdimisht, duke i thënë se do t’ia vriste motrën dhe babanë. Pas denoncimit, 19-vjeçarja është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, ku ka marrë trajtim mjekësor për lëndimet e pësuara. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj B.
Q. është iniciuar hetim për veprën penale “Dhunë në familje”. Policia ka ndërmarrë veprime për lokalizimin e tij, por i dyshuari ende nuk është arrestuar dhe ndodhet në arrati. Ndërkohë, viktima është kthyer në banesën ku kishte jetuar me bashkëshortin. Hetimet për rastin janë në vazhdim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
