Lidhja Demokratike e Kosovës u mblodh një ditë pas deponimit të nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, në të cilin pritet të zhvillohet procesi i votëbesimit të kryetarit Lumir Abdixhiku. Sokol Haliti, anëtar i Kryesisë së partisë ka deklaruar se takimet si ky i sotmi () janë rutinore.
Sipas tij, Kuvendi i jashtëzakonshëm do të thirret “me kohë”, derisa sipas Statutit të LDK-së, ky organ i partisë duhet të thirret brenda 60 ditësh nga deponimi i nënshkrimeve të delegatëve. “LDK-ja i respekton afatet, procedurat, rregullat, statutet… Interes shtetëror është formimi i institucioneve shtetërore edhe kapërcimi i këtij ngërçi.
Por, tash edhe aspektet e tjera partiake e kanë fushëveprimin e vet.”- ka deklaruar Haliti për media. Derisa u pyet se a janë verifikuar nënshkrimet e deponuara, ai tha se komisionet juridike pritet që të kryejnë këtë proces brenda afateve.
Abdixhiku, siç ka thënë ai, është kryetar legjitim pasi ka dalë nga Kuvendi i partisë, “një Kuvend tejet demokratik, ndoshta shembull edhe për partitë e tjera, jo vetëm në Kosovë”. Sekretari për Mërgatë i LDK-së, ka folur edhe për një marrëveshje mes kësaj partie dhe Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar institucionet e reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Derisa sa fliste për këtë çështje ai ka kërkuar “relaks” pasi që ka edhe zhvillime tjera. “Institucionet shtetërore edhe zgjedhja e presidentit është e domosdoshme. Vendit duhet me i dhënë institucione edhe duhet me i dhënë stabilitet institucional, shtet funksional. Mosimplementimi i buxhetit është rrezikim i funksionimit vital të shtetit.
Prandaj, duhet me pasur institucione të qëndrueshme që implementojnë buxhet edhe planprogram. Unë besoj tash që partneriteti ka me u krijuar. A krijohet nga LDK-ja, a krijohet nga dikush tjetër, është temë tjetër. Kjo është legale, legjitime, edhe është temë e negociatave, e rezultateve në negociata. Ky është mendimi im.”- deklaroi Haliti.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, më ka deklaruar përmes një video-mesazhi se ka ndërprerë të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Kosovës pas nismës për shkarkimin e tij nga posti i kreut të kësaj partie.
Gjatë këtij adresimi, Abdixhiku ka bërë të ditur se në selinë e LDK-së janë deponuar 148 nënshkrime të delegatëve të LDK-së për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm dhe shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të partisë. Sipas tij, pas verifikimit të plotë të nënshkrimeve pa asnjë vonesë do të caktohet data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit.
Ai ka theksuar se në këto rrethana nuk mund të angazhohet në negociatat për formimin e institucioneve të vendit. “Në këtë pikë më duhet t’i njoftoj qytetarët e vendit tim se për shkak të kësaj nisme detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës, që i prisnin me të drejtë tash e sa kohë.
Në këto rrethana, për shkak të kësaj nisme nuk do të ishte as serioze, as e përgjegjshme që unë të vazhdoja të negocioja në emër të LDK-së, ndërkohë që mandati im për të udhëhequr dhe përfaqësuar atë është vënë në diskutim nga brenda shtëpisë sime” – ka theksuar Abdixhiku.
Ai ka thënë se nuk beson se bisedimet (për formimin e institucioneve) të kenë qenë arsye, siç ka thënë ai, e ngutisë për Kuvend të paprecedent të LDK-së. Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj kishte bërë të ditur se kanë dorëzuar në zyrën e partisë nënshkrimet për shkarkimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Po, mund të konfirmoj se nënshkrimet janë dorëzuar te Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në pajtim me dispozitat e Statutit të LDK-së” – tha Zemaj për Kallxo.com . Sipas Statutit të LDK-së , Kuvendi thirret edhe atëherë kur këtë e kërkon 1/3 (një e treta) e delegatëve që e përbëjnë Kuvendin.
Kuvendi i thirrur sipas paragrafit paraprak mbahet në afatin prej 60 ditësh nga dita kur është shtruar kërkesa me shkrim.
